(VIDEO) Mbi 134 mijë lëndë të pazgjidhura në gjykatat e RMV-së

(VIDEO) Mbi 134 mijë lëndë të pazgjidhura në gjykatat e RMV-së

Gjykatat në RMV e kanë përfunduar vitin 2025 me 134.610 lëndë të pazgjidhura, ndërsa nga gjithsej 425 ankesa për të cilat ka vepruar Këshilli Gjyqësor, vetëm 13 janë vlerësuar si të bazuara, tregojnë të dhënat nga raporti vjetor për punën e Këshillit Gjyqësor. Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar në Këshillin Gjyqësor janë paraqitur 90 kërkesa të reja për inicimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë, të cilat përfshinin gjithsej 161 gjyqtarë. Për secilën kërkesë është formuar një lëndë e veçantë, ndërsa për të ka vepruar një komision prej tre anëtarësh, i përbërë nga anëtarë të Këshillit, të përzgjedhur me short.

MARKETING

Shik.mk

TABELË: KËSHILLI GJYQËSOR

“Pjesa më e madhe e ankesave kishin të bënin me pakënaqësinë ndaj vendimeve të marra nga gjykatat, përkatësisht me çështje që zakonisht janë objekt i procedurave të ankimimit. Një pjesë e qytetarëve ishin ankuar edhe për zvarritjen e procedurave gjyqësore, si dhe për mosrespektimin e afateve ligjore për ndërmarrjen e veprimeve procedurale”.

Nga gjithsej 34 gjykata, plot 18 janë vlerësuar si joefikase në zgjidhjen e lëndëve, pasi kanë rritur numrin e rasteve të pazgjidhura. Në listën e gjykatave me prapambetje janë përfshirë Gjykata Supreme, Gjykata Administrative dhe Gjykata e Lartë Administrative, gjykatat e apelit në Shkup dhe në Manastir, si dhe Gjykata Themelore Civile në Shkup.

TABELË: KËSHILLI GJYQËSOR

“Në Gjykatën e Lartë Administrative, koha mesatare për zgjidhjen e një lënde është 325 ditë, në Gjykatën Administrative 279 ditë, ndërsa në Gjykatën Themelore Civile në Shkup 271 ditë. Për qytetarët, kjo nënkupton pritje prej gati një viti për zgjidhjen e kontesteve të punës, çështjeve pronësore apo ankesave administrative kundër institucioneve shtetërore”.

Në raport thuhet se pas procedurave të gjata gjyqësore qëndron mungesa kronike e kuadrit. Nga gjithsej 639 vende të sistematizuara për gykatës në vend, më 31 dhjetor 2025 ishin aktivë 418 gjykatës. Këshilli  ka konstatuar se në gjykatat themelore nevojiten urgjentisht edhe 163 gjykatës, prej të cilëve nga 16 mungojnë në Gjykatën Themelore Penale dhe Gjykatën Themelore Civile në Shkup.  Gjendja është edhe më e rëndë sa i përket administratës gjyqësore. Sipas sistematizimit, në gjykata janë paraparë 4.751 vende pune për shërbimin gjyqësor, por janë plotësuar vetëm 1.803 vende, përkatësisht 37,95 %.

Në raport theksohet gjithashtu se shteti as në vitin 2025 nuk e ka respektuar detyrimin ligjor të përcaktuar në Ligjin për Buxhetin Gjyqësor, sipas të cilit për pushtetin gjyqësor duhet të ndahen të paktën 0,8 % e BPV-së.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING