I dërguari amerikan Witkoff do të vizitojë Rusinë pas bisedimeve me Zelenskyn dhe liderët nordikë
Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store tha të martën se i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, do të udhëtojë të mërkurën drejt Shën Petersburgut për t’u takuar me lidershipin rus dhe për të përcjellë idetë e diskutuara gjatë bisedimeve me liderin ukrainas dhe ata nordikë në Norvegji, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Oslo, së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentin finlandez Alexander Stubb, Store tha se Witkoff do të shkëmbejë mendime mbi propozimet e hartuara nga zyrtarët evropianë dhe amerikanë, të cilat mund të hapin rrugën për një takim në nivel udhëheqësish.
Store tha se bisedimet në Norvegji ishin “të mira dhe konstruktive”, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit për të çuar përpara përpjekjet diplomatike që synojnë përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ai shtoi se diskutimet përfshinë garancitë e sigurisë për Ukrainën, rindërtimin dhe prosperitetin pas luftës, çështjet territoriale, sanksionet dhe të ardhmen e rendit evropian të sigurisë.
Store theksoi se Evropa duhet të ketë rol qendror në çdo përpjekje për vendosjen e paqes.
“Evropa duhet të jetë në tryezë. Ka pasur një dobësi në faktin që Evropa nuk ka pasur rol mjaftueshëm qendror në këtë proces”, tha ai.
Stubb tha se në diskutime u trajtuan gjithashtu përparësitë e menjëhershme, përfshirë mbrojtjen ajrore, infrastrukturën energjetike dhe armëpushimet e pjesshme që përfshijnë sigurinë energjetike dhe ushqimore.
Ai tha se negociatat po përparojnë mirë në nivel teknik, duke shtuar: “Mendoj se jemi në një linjë dhe hapat e ardhshëm kanë të bëjnë me mënyrën se si do të arrijmë atje”.
Ai tha se Finlanda synon të lehtësojë dialogun mes Washingtonit dhe Kievit, si dhe mes Ukrainës dhe Rusisë, duke ruajtur njëkohësisht angazhimin e saj ndaj së drejtës ndërkombëtare.
“Ne besojmë se është më mirë të flasësh sesa të mos flasësh”, tha Stubb.

