Gjorgjievski: Pas vonesës dhe stagnimit shumëvjeçar po e përfundojmë ndërtimin e qarkores në Momin Potok
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, sot kreu mbikëqyrje në aktivitetet e punës në qarkoren në Momin Potok, e cila pas vonesave shumëvjeçare gjendet në fazën përfundimtare. Sipas paralajmërimeve, projekti duhet të përfundojë deri në fund të vitit.
Gjorgjievski theksoi se pas marrjes së projektit punët ndërtimore zhvillohen me dinamikë të përshpejtuar, ndërsa gjatë muajve të kaluar janë realizuar shumë aktivitete të rëndësishme.
“Qarkoren në Momin Potok e gjetëm pas disa vitesh ngecjeje, pa asnjë aktivitet ndërtimi dhe pa shpronësim të përfunduar. Vetëm për pak muaj, po e përfundojmë golgotën që kaluan njerëzit”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai informoi se në tërësi ka përfunduar ura e madhe e cila i lidh bulevardin Nikolla Karev me bulevardin 8 Shtatori dhe rrugën Skupi. Njëra anë është e asfaltuar në tërësi nga pjesa e majtë drejt pikës kufitare, ndërsa kanë përfunduar edhe instalimet nëntokësore, duke e përfshirë edhe kanalizimin atmosferik dhe kabllot operatore.
Gjithashtu, dy nga tri urat e lumit Serava janë përfunduar në tërësi, përderisa në urën e tretë vazhdojnë punët ndërtimore me ritëm të përshpejtuar.
Kryetari i Shkupit shfaqi pritshmëri se deri në Vitin e Ri qarkorja, urat dhe e gjithë shtrirja do të vihen në funksion.
Sipas paralajmërimeve, me përfundimin e projektit duhet të përmirësohet rrjedha e komunikacionit dhe të ulet qarkullimi në këtë pjesë të Shkupit, ku qytetarët me vite të tëra përballen me probleme në komunikacion.
“Shkupjanët shumë gjatë pritën këtë projekt dhe përfundimisht do ta marrin atë që e meritojnë”, porositi Gjorgjievski.

