BDI: Skandalet dhe hipokrizia e Shasivarit nuk kanë fund. Ligji dhe Kushtetuta nuk janë çështje kompromisi!
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë reaguar pas propozimit të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari për provimin e jurisprudenës. Sipas tyre ky propozim është skandaloz.
“Në vend që të kërkojë zbatimin konsekuent të ligjit dhe respektimin e Kushtetutës, ai u thotë studentëve: “Hajde të merremi vesh ta shkelim Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ta shkelim Kushtetutën dhe ta bëjmë provimin pak shqip e pak maqedonisht.”
Ky qëndrim bie ndesh drejtpërdrejt me atë që vetë ministri deklaronte vetëm disa muaj më parë. Por, me t’u ulur në kolltukun e pushtetit, ai nxori nga sirtari propozimin e Karakamishevës dhe sot e mbron atë me fanatizëm, pikërisht para studentëve, të cilëve dje u njihte të drejtën që sot përpiqet t’ua mohojë.
Hipokrizia nuk ka fund! Ky degradim i pozitës së shqiptarëve po merr përmasa alarmante. Të drejtat kushtetuese dhe ligjore nuk mund të shndërrohen në objekt pazaresh politike, aq më pak nga ata që kanë detyrimin t’i mbrojnë dhe t’i zbatojnë ato.
Ky skandal duhet të dënohet nga të gjithë, pa dallim politik. Ne jemi me studentët, me të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore dhe me parimin se ligji duhet të zbatohet, jo të negociohet në dëm të të drejtave të shqiptarëve.
Studentët kanë të drejtë që provimin e jurisprudencës, sikurse edhe çdo provim tjetër shtetëror, ta japin në gjuhën shqipe, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Studentët nuk kanë nevojë për kompromise që cenojnë të drejtat e tyre. Kanë nevojë për zbatim të ligjit!”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

