Përfundon procesi i votimit në Bërvenicë, fillon numërimi i votave
Në orën 19:00 janë mbyllur vendvotimet në Komunën e Bërvenicës, ku sot u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme për kryetar të komunës. Qytetarët e dhjetë vendbanimeve patën mundësi të zgjedhin mes gjashtë kandidatëve, pas vdekjes së kryetarit të atëhershëm të komunës, Jovica Ilievski, më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare.
Vendvotimet u hapën në orën 07:00. Të drejtë vote kishin gjithsej 16.256 votues, prej të cilëve 449 janë në punë të përkohshme jashtë vendit, ndërsa në burg ose paraburgim janë nëntë votues.
Në garë për kryetar të Bërvenicës ishin gjashtë kandidatë: Stojanço Radieski nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE; Jovica Radeski nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM; kandidati i pavarur Dushan Bogdanovski; Jakup Useini nga koalicioni VLEN; kandidatja e pavarur Arife Idrizi dhe Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI).
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), procesi i votimit është zhvilluar pa pengesa. Dalja në votime deri në orën 18:30 ishte 44,57 për qind.
Një ditë para zgjedhjeve, të drejtën e votës e shfrytëzuan 85 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, si dhe shtatë persona që janë duke vuajtur dënimin me burg ose ndodhen në paraburgim.

