Polonia planifikon t’u japë rojeve hekurudhore kompetenca për neutralizimin e dronëve mes frikës nga sabotazhi

Polonia planifikon t’u japë rojeve hekurudhore kompetenca për neutralizimin e dronëve mes frikës nga sabotazhi

Sipas një projektligji të publikuar nga qeveria e Polonisë, vendi planifikon t’i japë shërbimit të saj të sigurisë hekurudhore kompetenca për të neutralizuar dronët që kërcënojnë infrastrukturën hekurudhore, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Varshava ka shtuar masat e sigurisë për rrjetet kritike të transportit pas incidenteve të sabotazhit dhe shqetësimeve në rritje lidhur me operacionet e pretenduara hibride ruse.

Projekt-amendamenti për Ligjin e Transportit Hekurudhor, i përgatitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe i publikuar nga Zyra e Kryeministrit, synon të zgjerojë kompetencat e Gardës së Sigurisë Hekurudhore (SOK), duke i lejuar asaj të përdorë pajisje të afta për të shkatërruar ose çaktivizuar avionë pa pilot.

Projektligji do t’u jepte rojeve hekurudhore kompetenca më të gjera, të ngjashme me ato të shërbimeve të tjera të sigurisë, përfshirë përdorimin e pajisjeve të projektuara posaçërisht për t’iu kundërvënë avionëve pa pilot.

Ai gjithashtu do të zgjerojë rrethanat në të cilat rojet hekurudhore mund të përdorin armë zjarri, përfshirë shkatërrimin ose çaktivizimin e dronëve në rastet e parashikuara nga legjislacioni i aviacionit. Për më tepër, do të zgjeroheshin kompetencat e tyre për të dokumentuar ndërhyrjet dhe për të ndjekur të dyshuarit edhe në prona private.

Qeveria tha se ndryshimet synojnë t’i përshtatin kompetencat e SOK-ut me “kërcënimet bashkëkohore” dhe të forcojnë mbrojtjen e infrastrukturës hekurudhore, e cila konsiderohet pjesë e infrastrukturës kritike të Polonisë.

Kjo nismë vjen pas shtimit të shqetësimeve për sigurinë e rrjetit hekurudhor polak, pas incidenteve të sabotazhit në nëntorin e kaluar në linjën Varshavë-Lublin.

Eksplozivët dëmtuan një pjesë të shinave pranë Mikës, ndërsa një incident tjetër pranë Pulawyt përfshiu dëmtimin e infrastrukturës së linjës elektrike ajrore dhe vendosjen e një kapëseje metalike mbi shina, në atë që autoritetet e cilësuan si një përpjekje të mundshme për të nxjerrë një tren nga shinat.

Kryeministri Donald Tusk deklaroi në atë kohë se dy shtetas ukrainas, që bashkëpunonin me shërbimet ruse të inteligjencës, qëndronin pas sulmeve. Ai i cilësoi ato si ndër aktet më të rënda të sabotazhit në Poloni që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Shqetësimet janë shtuar gjithashtu për përdorimin e dronëve pranë infrastrukturës së ndjeshme. Një hetim parlamentar në korrik evidentoi raste të fluturimeve të dronëve pranë objekteve hekurudhore. Ai ngriti pikëpyetje lidhur me kompetencat që kanë policia dhe shërbimet e tjera kur avionët pa pilot operojnë pranë objekteve me rëndësi strategjike.

Projektligji vjen në një kohë kur Varshava paralajmëron gjithnjë e më shpesh se sabotazhi rus, operacionet kibernetike dhe aktivitetet e tjera hibride përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për Poloninë dhe vendet anëtare të NATO-s.

MARKETING