VLEN –VMRO më të dëmshëm për shqiptarët sesa BDI – VMRO? Përgjigjet Imeri
Saranda Imeri Stafai, në emisionin Debat në Shenja, ka kundërshtuar vlerësimet se periudha e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së nën udhëheqjen e Nikolla Gruevskit ka qenë më e mirë se situata aktuale, duke theksuar se gjatë asaj kohe ka pasur dhunë, djegie të pronave dhe rrahje masive të studentëve.
E pyetur për deklaratat e Taravarit se situata ka qenë më e mirë gjatë periudhës së kaluar, Imeri Stafai tha se dy periudhat nuk mund të krahasohen, duke përmendur rastet e dhunës dhe burgosjeve në të kaluarën.
“Në këtë periudhë nuk kemi rrahje, burgime”, deklaroi ajo.
Gazetari i kujtoi se së fundmi kishin ndodhur dy raste të rrahjeve, ndërsa kryeministri, tha ai, nuk kishte reaguar publikisht. Ai bëri edhe një krahasim me reagimin e institucioneve ndaj incizimit të një spoti në Makedonium nga një këngëtar nga Kosova, ku, kabineti kishte reaguar menjëherë, ndërsa për një rrahje brutale nuk kishte pasur reagim të ngjashëm.
Në përgjigjen e saj, Imeri Stafai tha se, sipas mendimit të saj, kryeministri po pret përfundimin e procedurave për të dalë me një qëndrim.
Ajo rikujtoi edhe disa nga incidentet e periudhës së kaluar, duke përmendur djegien e pronave dhe dyqaneve, rrahjen masive të studentëve dhe raste të tërheqjes zvarrë.
“Ne kemi pasur djegie të pronave, rrahje masive të studentëve, djegie të dyqaneve, tërheqje zvarrë. Ka dallim të madh. Janë të pakrahasueshme”, u shpreh Imeri Stafai.
Në fund, ajo theksoi edhe investimet në komunat me shumicë shqiptare, duke i përmendur si një tjetër dallim mes periudhës së kaluar dhe qeverisjes aktuale.

