Zbritje pikësh, rënie nga kategoria apo heqje titujsh: Çfarë mund t’i ndodhë Manchester Cityt?
Gjetjet për shkelje financiare nga Manchester City kanë hapur rrugën për një çështje potencialisht historike, e cila mund të riformësojë si të ardhmen e klubit, ashtu edhe mënyrën se si futbolli anglez mbikëqyr klubet e tij më të pasura.
Përfundimet e komisionit të pavarur përfshijnë nëntë sezone dhe hapin mundësinë për sanksione që mund të shkojnë shumë përtej një gjobe të zakonshme financiare.
Eksperti i së drejtës sportive, Jan Zglinski, tha se përmasat e kësaj çështjeje janë të paprecedenta, ndërsa pasojat e mundshme variojnë nga zbritja e madhe e pikëve dhe kërkesat për dëmshpërblim deri te pikëpyetjet mbi titujt e fituar gjatë periudhës nën hetim.
“Shpresoj vërtet që pas disa vitesh kjo çështje të shihet si një pikë kthese, sepse bëhet fjalë për një shkelje të përmasave të paprecedenta”, tha Zglinski për Anadolu, profesor i asociuar i së drejtës në Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (LSE).
“Shkeljet kanë qenë sistematike dhe vëllimi financiar i tyre është diçka që nuk e kemi parë më parë në futbollin anglez apo në futbollin botëror”, shtoi ai.
Në fund të shtatorit, Premierliga njoftoi se një komision i pavarur e kishte shpallur Manchester Cityn fajtor për shkelje të rënda të rregullave financiare gjatë nëntë sezoneve, nga sezoni 2009/10 deri në sezonin 2017/18. Vendimi erdhi pas akuzave të ngritura ndaj klubit në shkurt të vitit 2023.
Komisioni konstatoi se Manchester City kishte përdorur kontrata fiktive me partnerë tregtarë, si pjesë e skemave që kishin fryrë artificialisht të ardhurat dhe kishin ulur shpenzimet e raportuara me më shumë se 900 milionë paundë, duke fshehur gjendjen reale financiare të klubit nga auditorët dhe organet rregullatore të futbollit.
Gjithashtu, komisioni konstatoi se Manchester City kishte shkelur në mënyrë të konsiderueshme kufijtë e shpenzimeve të Premierligës dhe UEFA-s, si dhe nuk kishte bashkëpunuar plotësisht me hetimin e ligës.
Premierliga konfirmoi më 2 tetor se Manchester City kishte paraqitur ankesë, ndërsa klubi hodhi poshtë përfundimet e komisionit dhe këmbënguli në pafajësinë e tij.
“Klubi është i pafajshëm për akuzat e ngritura nga Premierliga dhe ekziston një tërësi gjithëpërfshirëse provash të pakundërshtueshme që mbështesin të gjitha qëndrimet tona lidhur me këtë çështje”, thuhej në një deklaratë të Manchester Cityt.
Sanksionet e mundshme ende nuk janë përcaktuar.
– Shkeljet financiare dhe mbrojtja e mundshme e Manchester Cityt
Zglinski tha se rreth 830 milionë paundë nga afro 950 milionë paundë të ardhura nga sponsorizimet e regjistruara nga Manchester City ishin financuar nga pronësia e klubit dhe jo nga vetë sponsorët, duke e cilësuar këtë shkallë si “mjaft tronditëse”.
Ai shpjegoi se sponsorët kishin paguar vetëm një pjesë të shumave të regjistruara si të ardhura, ndërsa pjesën tjetër e kishin mbuluar pronarët e klubit.
“Kështu kemi arritur në një situatë ku në bilanc figuronin shuma shumë të mëdha parash që hynin në klub. Por, në realitet, shumë pak nga këto para ishin paguar nga vetë sponsorët. Pjesën më të madhe e kishte mbuluar pronësia e klubit”, tha ai.
Zglinski tha se dallimi mes fondeve të siguruara nga pronarët e klubit dhe parave me origjinë nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk do të ndryshonte përfundimet e Premierligës lidhur me të ardhurat nga sponsorizimet.
“Një gjë për të cilën nuk mendoj se do të ketë rëndësi është se rregullat financiare të Premierligës përcaktojnë qartë që vetë klubi duhet të përfitojë të ardhura nga të drejtat e sponsorizimit”, tha ai.
Megjithatë, ai tha se origjina e parave mund të bëhet relevante në procedura të mundshme që përfshijnë individë nga drejtuesit e Manchester Cityt, veçanërisht në rastet kur ngrihen çështje që lidhen me imunitetin shtetëror.
“Pra, origjina e këtyre parave do të ketë pasoja. Megjithatë, ajo nuk duhet të ndikojë në përfundimet e Premierligës në këtë çështje”, tha ai.
I pyetur se si mund t’i kundërshtojë Manchester City përfundimet e komisionit, Zglinski iu referua procedurave të mëparshme ligjore të klubit kundër UEFA-s, duke sugjeruar se klubi mund të vërë sërish në pikëpyetje nëse provat i përmbushin standardet e kërkuara.
“Në atë kohë, ankesa bazohej në qëndrimin e Manchester Cityt se nuk ishin përmbushur standardet e provave. Klubi pretendonte se UEFA nuk kishte informacionin e duhur për të justifikuar një sanksion. Jam i sigurt se do të përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë edhe në këtë rast”, tha ai.
Ndryshe nga çështja e mëparshme e Manchester Cityt me UEFA-n, e cila përfundoi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), procedurat e Premierligës ndjekin një proces të veçantë ankimimi.
“Këtu do të kemi ankesën pranë Bordit të Apelit të Premierligës”, tha Zglinski.
“Pas kësaj, mund të ketë një hap tjetër drejt Gjykatës së Lartë në Angli, por ankesa atje lejohet vetëm mbi baza mjaft të kufizuara”, shtoi ai.
– Zbritja e pikëve, rënia nga liga dhe heqja e titujve
Zglinski paralajmëroi se Manchester City mund të përballet me një zbritje të konsiderueshme pikësh, ndoshta të shoqëruar edhe me gjobë.
“Realisht, mendoj se të paktën do të kemi një zbritje shumë të madhe pikësh, ndoshta të kombinuar me një gjobë”, tha ai.
Zglinski tha se një zbritje mjaft e madhe pikësh mund ta çonte praktikisht Manchester Cityn në rënie nga kategoria. Ndërkaq, një vendim i veçantë për ta përjashtuar klubin nga Premierliga do të krijonte vështirësi praktike, pasi Liga Angleze e Futbollit (EFL) do të duhej ta pranonte atë në përbërjen e saj.
“EFL-ja do të duhej ta pranonte Manchester Cityn mes klubeve të saj”, tha ai.
Ai shpjegoi se pranimi i Manchester Cityt mund të kërkonte largimin e një klubi tjetër nga EFL-ja ose zgjerimin e përkohshëm të ligës, një mundësi që, sipas tij, EFL-ja nuk do të ishte e gatshme ta shqyrtonte.
Zbritjet e mëparshme të pikëve ndaj Evertonit dhe Nottingham Forestit ofrojnë disa orientime për mënyrën se si Premierliga zbaton rregullat e saj financiare, por Zglinski paralajmëroi se rasti i Manchester Cityt përfshin shkelje të një shkalle financiare shumë më të madhe.
“Këto raste, natyrisht, janë precedentë të vlefshëm në disa aspekte, sepse tregojnë se si zbatohet rregullorja e Premierligës”, tha ai.
“Megjithatë, ato kanë të bëjnë me përmasa krejtësisht të ndryshme”, shtoi ai.
Një çështje tjetër është mundësia e heqjes së titujve që Manchester City fitoi gjatë periudhës së përfshirë në gjetjet e komisionit.
“Ekziston një argument i fortë se Manchester City nuk duhet ta mbajë në librat e historisë nderin e fitimit të Premierligës apo Kupës FA në një periudhë kur ka shkelur në mënyrë sistematike dhe të konsiderueshme rregullat financiare të këtij vendi”, tha Zglinski.
Megjithatë, ai tha se dhënia e këtyre titujve klubeve rivale do të ishte më e ndërlikuar.
“Nëse kjo do të thotë që klubeve të tjera do t’u rikthehet pozita që kishin, apo që Liverpooli më në fund do të ngrejë atë trofe, nuk mendoj se është diçka aq e thjeshtë”, shtoi ai.
– Kërkesat për dëmshpërblim dhe implikimet më të gjera ligjore
Përtej sanksioneve të mundshme sportive, Zglinski tha se klubet rivale që besojnë se kanë pësuar dëme financiare ose sportive mund të kërkojnë dëmshpërblim nga Manchester City.
Ai përmendi mosmarrëveshjen mes Burnleyt dhe Evertonit, në të cilën një komision i pavarur i Premierligës urdhëroi Evertonin në qershor t’i paguante Burnleyt 26 milionë paundë dëmshpërblim, si dhe 9,1 milionë paundë interes, për shkeljet e rregullave financiare që lidhen me sezonin 2021/22.
Komisioni konstatoi se shkeljet e Evertonit i kishin dhënë klubit epërsi sportive që kishte kontribuuar në rënien e Burnleyt nga kategoria atë sezon. Evertoni e apeloi vendimin për dëmshpërblim, duke argumentuar se ai ishte i gabuar nga pikëpamja ligjore dhe faktike.
Megjithatë, Zglinski paralajmëroi se përmasat e paprecedenta të çështjes së Manchester Cityt mund ta bëjnë të vështirë përcaktimin e një kuadri praktik për dëmshpërblimet.
“Për shkak të përmasave të paprecedenta, nuk e dimë vërtet se si mund të realizohet kjo në praktikë”, tha ai.
Sa u përket pasojave të mundshme përtej futbollit anglez, Zglinski e konsideroi të pamundur që UEFA të ndërmarrë veprime të tjera. Ai theksoi se CAS-i e kishte rrëzuar në vitin 2020 pezullimin dyvjeçar të Manchester Cityt nga garat evropiane, ndërsa disa prej pretendimeve të UEFA-s në atë procedurë ishin konsideruar të parashkruara.
“Në radhë të parë, nuk pres që UEFA të ndërmarrë veprime tani”, tha ai.
Ai shtoi se FIFA nuk ka pasur rol zyrtar në hetimin e Premierligës dhe se, në këtë fazë, nuk është në pozitë për të vendosur sanksione.
– Pikë kthese për qeverisjen e futbollit
Përtej sanksioneve të mundshme, Zglinski kritikoi kohëzgjatjen e hetimit të Premierligës, duke theksuar se autoritetet e futbollit duhet të reagojnë më shpejt ndaj shkeljeve financiare.
“Duhet të kujtojmë gjithashtu se ky hetim zgjati shumë, shumë gjatë”, tha ai, duke iu referuar viteve që kanë kaluar nga sukseset e para të Manchester Cityt gjatë periudhës së përfshirë në shkelje.
“Kjo është tepër gjatë dhe nuk mund të jetë mënyra se si duhet të ecim përpara”, shtoi ai.
Zglinski i bëri thirrje Premierligës t’i rishikojë procedurat e saj për të parandaluar vonesa të ngjashme në çështjet e ardhshme.
“Prandaj, shpresoj shumë që Premierliga të bëjë një vetëvlerësim të sinqertë dhe të përpiqet të gjejë mënyra për ta bërë sistemin më efikas”, tha ai.
“Sepse një gjë që askush nuk e dëshiron, as klubet dhe as tifozët, është që titujt dhe kampionatet të diskutohen në gjykatë një dekadë më vonë, në vend që të vendosen në fushën e lojës”, deklaroi Zglinski.

