ASH: Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen tani, Maqedonia e Veriut nuk duhet të mbetet peng i së kaluarës

ASH: Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen tani, Maqedonia e Veriut nuk duhet të mbetet peng i së kaluarës

Aleanca për Shqiptarët kërkon arritjen e një marrëveshjeje politike për ndryshimet kushtetuese, hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe heqjen e formulimit prej 20 për qind për gjuhën shqipe.

MARKETING

Shik.mk

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar lidhur me procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se, ndërsa Ukraina përballet çdo ditë me bombardime dhe shkatërrime, ajo vazhdon me guxim rrugën drejt Bashkimit Evropian. Edhe Moldavia, sipas ASH-së, po avancon me vendosmëri drejt integrimit evropian.

Nga kjo parti vlerësojnë se Maqedonia e Veriut, ndonëse jeton në paqe, po humbet vite të çmuara për shkak të frikës, paragjykimeve dhe përplasjeve politike, në vend që të përqendrohet në ndërtimin e së ardhmes evropiane.

“Ndryshimi i emrit u paraqit si kërcënim për identitetin, gjuhën dhe shtetin. Sot, identiteti është i njëjtë, gjuha maqedonase ekziston, ndërsa Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, me garanci kolektive të sigurisë dhe pozitë më të fortë ndërkombëtare. Ajo që dikur cilësohej si kërcënim për ekzistencën, sot është një nga arritjet më të mëdha të shtetit”, thuhet në reagimin e ASH-së.

Sipas kësaj partie, historia po përsëritet edhe në debatin për ndryshimet kushtetuese, ku, siç theksojnë, po rikthehen të njëjtat frikëra dhe arsyetime, ndërsa vendet e tjera vazhdojnë të ecin përpara.

ASH-ja rikujton se ka kërkuar vazhdimisht reflektim, guxim dhe përgjegjësi politike, duke bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësonte miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Njëkohësisht, nga kjo parti kërkojnë heqjen e formulimit prej 20 për qind për gjuhën shqipe, me qëllim, siç shprehen, arritjen e barazisë së plotë të shqiptarëve.

“Respektimi i identitetit maqedonas dhe barazia e shqiptarëve nuk duhet të paraqiten si çështje që përjashtojnë njëra-tjetrën apo si arsye për kundërshtime. Ato janë themele të një shteti modern evropian”, theksojnë nga ASH-ja.

Në përfundim, Aleanca për Shqiptarët nënvizon se Ukraina po lufton për të ardhmen e saj evropiane në kushte lufte, ndërsa Maqedonia e Veriut, pavarësisht paqes dhe sigurisë, vazhdon të përballet me pengesa politike në procesin e integrimit.

“Nuk mund të synojmë të ardhmen evropiane duke jetuar me frikën e së kaluarës. Koha për guxim dhe vendime është sot, sepse nesër mund të jetë tepër vonë”, përfundon reagimi i ASH-së.

MARKETING