Anglezët pretendojnë se nuk do të ketë presion politik në rastin e Manchester Cityt
Presidenti i organit rregullator të futbollit në Angli, David Kogan, ka deklaruar se do të jepte dorëheqje nëse do të kishte ndërhyrje politike në procesin që lidhet me sanksionet e mundshme ndaj Manchester Cityt.
Klubi anglez është përballur me akuza për shkelje të shumta të rregullave financiare të Ligës Premier, ndërsa pasojat e mundshme mund të jenë të rënda.
Mes masave që janë përmendur janë gjobat e mëdha financiare, zbritja e pikëve dhe madje përjashtimi nga elita e futbollit anglez.
Një panel i pavarur ka shqyrtuar akuzat ndaj Manchester Cityt, i cili mbështetet financiarisht nga pronarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Klubi është akuzuar se ka dhënë informacione të pasakta për financat e tij gjatë periudhës 2009–2018, kohë gjatë së cilës fitoi tri tituj të Ligës Premier dhe përforcoi skuadrën me futbollistë të nivelit më të lartë.
Megjithatë, procesi ende nuk ka marrë epilog përfundimtar, pasi pritet të sqarohet çështja e ankesës së Manchester Cityt.
Kogan ka insistuar se organi rregullator do të veprojë në mënyrë të pavarur dhe se nuk do të lejojë asnjë ndikim politik, pavarësisht marrëdhënieve mes qeverive të Mbretërisë së Bashkuar dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Pavarësia jonë është absolute, ashtu si edhe pavarësia ime personale. E kam bërë të qartë se çdo formë e ndërhyrjes politike në mënyrën se si veprojmë do të rezultojë me dorëheqjen time nga kjo detyrë”.
“Dua të jem plotësisht i qartë: nuk kemi qenë nën asnjë presion politik për këtë çështje apo për ndonjë çështje tjetër”, deklaroi Kogan.
Ndërkohë, tifozët e futbollit vazhdojnë të presin vendimin përfundimtar në rastin e Manchester Cityt.
Një pjesë e tyre kërkon sanksione të ashpra ndaj klubit, duke e konsideruar përjashtimin nga futbolli profesionist si një nga ndëshkimet e mundshme.
Për momentin, mbetet të shihet se si do të përfundojë procesi dhe çfarë pasojash do të ketë për Man Cityn.

