Limani: Komuna e Gostivarit do të ndajë 100 vauçerë për mamografi falas në kuadër të “Tetorit Rozë”
Komuna e Gostivarit do të ndajë 100 vauçerë për mamografi falas për gratë dhe vajzat, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, të njohur si “Tetori Rozë”.
Këtë e bëri të ditur kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm në luftën kundër kësaj sëmundjeje.
“Ndërgjegjësimi dhe diagnostikimi i hershëm janë thelbësorë për mbrojtjen e shëndetit të grave. Edhe këtë vit, Komuna e Gostivarit do të ndajë 100 vauçerë për mamografi falas, me qëllim që të mbështesim gratë dhe vajzat dhe të inkurajojmë kontrollet e rregullta parandaluese”, theksoi Limani.
Në kuadër të “Tetorit Rozë”, Komuna e Gostivarit, në bashkëpunim me Shoqatën “Ezra”, organizoi edhe punëtorinë informative me të njëjtin emër, ku gratë dhe vajzat e pranishme patën mundësinë të informohen dhe të bashkëbisedojnë me profesionistë shëndetësorë për kancerin e gjirit, rëndësinë e kontrolleve dhe mundësitë për diagnostikim të hershëm.
Në punëtori morën pjesë dr. Miranda Izairi, specialiste e radiologjisë, dhe dr. Ilir Ismaili, onkolog, të cilët ndanë informacione dhe këshilla për rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm ndaj shëndetit.
Përmes këtyre aktiviteteve, Komuna e Gostivarit synon të rrisë ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe të nxisë gratë që t’i kushtojnë më shumë rëndësi kontrolleve parandaluese.

