Nikolloski: Po ndërtojmë gjashtë autostrada në të njëjtën kohë, Maqedonisë po i ndodh një zhvillim i fuqishëm infrastrukturor

Nikolloski: Po ndërtojmë gjashtë autostrada në të njëjtën kohë, Maqedonisë po i ndodh një zhvillim i fuqishëm infrastrukturor

Maqedonia e Veriut po ndërton njëkohësisht gjashtë segmente autostradash, të cilat pritet të përmirësojnë lidhjet rrugore mes qyteteve dhe të lehtësojnë qarkullimin në vend.

MARKETING

Shik.mk

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, tha se punimet po vazhdojnë në disa projekte të rëndësishme, ndërsa afatet e përfundimit ndryshojnë nga një segment në tjetrin, raporton SHENJA.

Një nga projektet më të rëndësishme është autostrada Kërçovë–Bukojçan, ndërtimi i së cilës ka nisur së fundmi. Sipas Nikoloskit, kjo autostradë është e rëndësishme për lidhjen e Shkupit me Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Ohrin dhe Strugën, si dhe për funksionalizimin e Korridorit 8.

Projekti përfshin ndërtimin e një tuneli, disa urave dhe viadukteve, si dhe nyjeve rrugore, për shkak të terrenit të vështirë malor.

Sa i përket projekteve të tjera, Nikoloski bëri të ditur se autostrada Prilep–Manastir dhe ajo Tetovë–Gostivar pritet të përfundojnë deri në fund të vitit 2029.

Segmenti Gostivar–Bukojçan, i cili kalon nëpër terren malor dhe përfshin shumë ura, pritet të përfundojë në vitet 2029–2030. Ndërkaq, për autostradën Bukojçan–Kërçovë, afati i parashikuar është katër vjet, por kompania ndërtuese ka premtuar se punimet mund të përfundojnë më herët.

Për autostradën Ohër–Kërçovë, ministri pret që një pjesë e saj të hapet për qarkullim së shpejti, ndërsa përfundimi i plotë varet edhe nga kushtet atmosferike.

Sipas Nikoloskit, këto projekte pritet të përmirësojnë infrastrukturën rrugore dhe të mundësojnë lidhje më të shpejta mes rajoneve të vendit. /SHENJA/

MARKETING