Izraeli “futet thellë” në Shqipëri, Hoxha dhe Sa’ar nënshkruajnë Marrëveshjen për Bashkëpunim të Përgjithshëm Shqipëri-Izrael

Izraeli “futet thellë” në Shqipëri, Hoxha dhe Sa’ar nënshkruajnë Marrëveshjen për Bashkëpunim të Përgjithshëm Shqipëri-Izrael

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha priti paraditen e sotme në një vizitë zyrtare në Tiranë homologun e tij, ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Gideon Sa’ar.

MARKETING

Shik.mk

Sipas një njoftimi të Ministrisë, në fokus të takimit ishte forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Izraelit si dhe shkëmbimi i pikëpamjeve mbi sfidat e sigurisë rajonale dhe globale, përfshirë kontributin e Shqipërisë në kuadër të Bordit të Paqes.

“Ministri Hoxha theksoi se marrëdhëniet Shqipëri-Izrael mbështeten në një histori të veçantë miqësie, respekti dhe solidariteti, të cilat përbëjnë një bazë të fortë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, gjatë vizitës, Ministri Hoxha dhe homologu i tij nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, e cila shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.

“Marrëveshja krijon një kuadër të gjerë bashkëpunimi ndërqeveritar dhe vendos një mekanizëm të strukturuar për zhvillimin e partneriteteve konkrete në fusha me interes të ndërsjellë, si ekonomia dhe tregtia, inovacioni dhe teknologjia, bujqësia, menaxhimi i ujërave, energjia, shëndetësia, arsimi, siguria, turizmi dhe kultura. Në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi në fushën e turizmit ka njohur zhvillime shumë pozitive vitet e fundit, duke u shndërruar në një prej sektorëve më dinamikë dhe premtues të marrëdhënieve dypalëshe”, theksohet më tej në njoftim.

Gjatë takimit, ministri Hoxha rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të sigurisë së Izraelit, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e përpjekjeve për arritjen e një zgjidhjeje që garanton paqe, stabilitet dhe siguri afatgjatë për të gjithë rajonin, thuhet më tej.

“Vizita shërbeu gjithashtu si një mundësi për të rikonfirmuar angazhimin e Shqipërisë kundër terrorizmit, ekstremizmit, antisemitizmit dhe çdo forme urrejtjeje. Në këtë kuadër, ministri Sa’ar vizitoi ekspozitën arkivore që dokumenton traditën e njohur shqiptare të mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, një kapitull krenarie në historinë e vendit tonë. Dy ministrat vlerësuan rëndësinë e vijimit të dialogut politik dhe të bashkëpunimit në të gjitha nivelet, përmes koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve, në funksion të forcimit të mëtejshëm të partneritetit Shqipëri-Izrael”, bën të ditur njoftimi.

MARKETING