Krushqit bllokuan bulevardin në Shkup, policia sanksionon katër shoferë
Një video e publikuar në rrjete sociale, ku shihen disa automjete duke penguar qarkullimin në bulevardin “Jane Sandanski” në Shkup, me shumë gjasa me krushq nga dasma, ka aktivizuar policinë. Katër shoferë janë thirrur sot në SPB Shkup dhe ndaj tyre janë ndërmarrë masa për kundërvajtje në komunikacion.
Sipas MPB-së, bëhet fjalë për D.G. (28), i cili drejtonte një “Audi”, M.P. (25), drejtues i një “BMW”, L.B. (48), i cili drejtonte një tjetër “Audi”, dhe S.S. (23), drejtues i një “Suzuki”. Të gjitha automjetet kishin targa të Shkupit.
“Lidhur me videon e publikuar në disa media, në të cilën shihet se disa automjete pengojnë qarkullimin në bulevardin ‘Jane Sandanski’ në Shkup, sot (11.10.2026), në Njësinë për Siguri në Komunikacionin Rrugor pranë SPB Shkup janë thirrur D.G. (28), i cili drejtonte automjetin e udhëtarëve ‘Audi’ me targa të Shkupit, M.P. (25), i cili drejtonte automjetin e udhëtarëve ‘BMW’ me targa të Shkupit, L.B. (48), i cili drejtonte automjetin e udhëtarëve ‘Audi’ me targa të Shkupit, dhe S.S. (23), i cili drejtonte automjetin e udhëtarëve ‘Suzuki’ me targa të Shkupit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Nga Ministria bëjnë të ditur se ndaj katër shoferëve janë ndërmarrë masa për kundërvajtjen e kryer dhe ata do të përballen me gjobat e parapara me ligj.

