Astrit Iseni: Uniforma policore nuk e arsyeton dhunën, kushdo që ka shkelur ligjin do të mbajë përgjegjësi

Astrit Iseni: Uniforma policore nuk e arsyeton dhunën, kushdo që ka shkelur ligjin do të mbajë përgjegjësi

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar sërish lidhur me rastin e dyshuar të dhunës ndaj dy të rinjve në Shkup, më 7 tetor, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se uniforma policore nuk mund të shërbejë si arsyetim për përdorimin e dhunës apo tejkalimin e kompetencave.

MARKETING

Shik.mk

Në një reagim publik, Iseni ka nënvizuar se çdo veprim policor duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale, pavarësisht rrethanave apo dyshimeve ndaj personave ndaj të cilëve ndërmerren veprime policore.

Ai bëri të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike, po punon për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa theksoi se çdo provë do të shqyrtohet me seriozitetin e duhur dhe se të gjithë ata që rezultojnë se kanë shkelur ligjin do të mbajnë përgjegjësi.

Iseni u ndal edhe te përpjekjet për ta lidhur rastin me motive etnike, duke theksuar se incidenti nuk ka lidhje me përkatësinë etnike. Sipas tij, patrulla policore e përfshirë në rast kishte përbërje të përzier etnike.

Ai bëri thirrje që rasti të mos keqpërdoret për nxitjen e tensioneve ndëretnike, duke theksuar rëndësinë e zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe respektimit të ligjit.

Në reagimin e tij, Iseni theksoi se përgjegjësia individuale për çdo shkelje të mundshme duhet të përcaktohet përmes procedurave ligjore.

MARKETING