Pesë palestinezë të vrarë dhe mbi dhjetë të plagosur në sulmet izraelite në Gaza
Të paktën pesë palestinezë, përfshirë një grua, janë vrarë dhe më shumë se dhjetë të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në gjithë Rripin e Gazës të enjten, sipas burimeve mjekësore dhe dëshmitarëve.
Sulmet kanë shënjestruar lagjen Tel al-Hawa dhe zonën Al-Tawam dhe atë të Projektit Amer në Qytetin e Gazës, zonën Al-Sudaniya në veriperëndim, si dhe Al-Mawasi në veriperëndim të Rafahut dhe zonat përreth Bani Suheilës dhe në verilindje të Khan Younisit.
Një burim mjekësor tha për Anadolu se palestinezi Mohammed Rajab Warsh Agha ka vdekur nga plagët e marra në një sulm ajror izraelit ndaj një tende ku strehoheshin persona të zhvendosur në kampin egjiptian, në zonën Al-Tawam në veriperëndim të Qytetit të Gazës.
Më herët, një burim mjekësor në Spitalin Fushor Verior të Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se dy palestinezë ishin plagosur në sulm, njëri prej tyre në gjendje kritike.
Në një sulm tjetër, dy palestinezë janë vrarë dhe tre të tjerë janë plagosur, njëri prej tyre në gjendje kritike, kur një dron izraelit goditi një automjet civil në lagjen Tel al-Hawa, në jug të Qytetit të Gazës, tha për Anadolu një burim mjekësor.
Sipas burimit, të plagosurit janë dërguar në Spitalin Al-Shifa.
Më herët të enjten, një grua palestineze është vrarë dhe bashkëshorti i saj dhe dy fëmijët janë plagosur kur artileria izraelite goditi tendën e tyre në zonën e Projektit Amer, në veriperëndim të Qytetit të Gazës.
Një burim mjekësor në Spitalin Al-Shifa e identifikoi gruan si Ahlam Mubarak, 30 vjeçe, dhe tha se bashkëshorti i saj është plagosur rëndë.
Ndërkohë, i riu palestinez Ahmed Khamis Abu Naja ka vdekur nga plagët e marra në një sulm ajror izraelit ndaj një automjeti në Qytetin e Gazës rreth një javë më parë.
Dëshmitarët thanë gjithashtu për Anadolu se forcat detare izraelite kanë hapur zjarr dhe kanë qëlluar me predha në brigjet e Qytetit të Gazës, ndërsa zjarri i artilerisë ka shënjestruar zonën Al-Sudaniya në veriperëndim të Rripit të Gazës.
Në jug të Gazës, shtatë palestinezë janë plagosur kur artileria izraelite goditi një shtëpi në zonën Al-Mawasi, në veriperëndim të Rafahut, sipas burimeve mjekësore.
Burime lokale thanë se ushtria izraelite ka shkatërruar gjithashtu ndërtesa banimi dhe struktura të tjera në zonat ku janë dislokuar forcat e saj në verilindje të Khan Younisit.
Dëshmitarët thanë se forcat izraelite kanë hedhur bomba tymuese pranë rrethrrotullimit Bani Suheila, në lindje të Khan Younisit, duke bërë që disa tenda ku strehoheshin palestinezë të zhvendosur të përfshiheshin nga flakët.
Deri të mërkurën, shkeljet izraelite të marrëveshjes së armëpushimit kanë shkaktuar vdekjen e 1.467 palestinezëve dhe plagosjen e 5.161 të tjerëve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Që nga tetori i vitit 2023, më shumë se 74.000 palestinezë janë vrarë dhe mbi 175.000 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar, sipas të dhënave palestineze.

