Çmimet e karburantit shfaqen për herë të parë në Google Maps në Britani
Google Maps për herë të parë ka filluar shfaqjen e çmimeve të karburantit në Mbretërinë e Bashkuar pothuajse në kohë reale, për t’i ndihmuar shoferët të gjejnë benzinë dhe naftë më të lirë mes rritjes së ndjeshme të kostove të energjisë, transmeton Anadolu.
Departamenti për Sigurinë e Energjisë dhe Net-Zero njoftoi se kontrollimi i çmimeve lokale të karburantit tani është “po aq i thjeshtë sa” hapja e Google Maps dhe kërkimi i një pike karburanti aty pranë, ndërsa në aplikacion shfaqen çmimet pothuajse në kohë reale për benzinën dhe naftën.
“Në një kohë kur konflikti i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme ka rritur çmimet e karburantit për shoferët, dallimi i çmimeve mund t’u kursejë familjeve që kanë makinë rreth 40 paund (52 dollarë) në vit”, thuhet në deklaratë.
Kancelari i Thesarit, John Healey tha se gjetja e çmimit më të mirë në pikat e karburantit tani është më e lehtë, megjithëse “kjo nuk zgjidh gjithçka”. Sipas qeverisë, skema “Fuel Finder” u krijua për t’i ndihmuar shoferët të kenë qasje në çmime më konkurruese të karburantit, pas një rekomandimi nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve (CMA).
Që nga muaji shkurt, pikat e karburantit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar janë të detyruara të raportojnë ndryshimet e çmimeve të karburantit brenda 30 minutash, përndryshe rrezikojnë gjobë. Masa vjen disa ditë pasi çmimi i naftës kaloi për herë të parë nivelin prej 2 paundësh (2.64 dollarë) për litër.

