BDI: Interesi kombëtar dhe vlerat e UÇK-së mbi çdo interes tjetër
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me zhvillimet politike dhe institucionale në Republikën e Kosovës, duke vënë theks të veçantë te mbrojtja e vlerave që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një komunikatë, BDI thekson se UÇK-ja përbën një prej vlerave të rëndësishme të historisë moderne të shqiptarëve dhe se kontributi i saj në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës mbetet, sipas kësaj partie, vendimtar.
“UÇK-ja është vlerë e përbashkët kombëtare. Ajo i takon gjithë kombit shqiptar dhe qëndron mbi partitë politike, mbi dallimet dhe interesat e ditës”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Sipas partisë, kontributi i UÇK-së duhet të trajtohet me “përgjegjësi, dinjitet dhe respekt institucional”, ndërsa çështja nuk duhet të kushtëzohet nga interesat politike të momentit.
BDI ia atribuon përgjegjësinë autoriteteve të Republikës së Kosovës për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale, duke kërkuar që ajo të jetë në përputhje me mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, dinjitetin e pjesëtarëve të saj dhe interesin e përgjithshëm të vendit.
Në përfundim, BDI bën thirrje që, në këto momente, interesat politike të ditës t’i lënë vend interesit kombëtar, unitetit dhe përgjegjësisë shtetërore, duke ruajtur, siç shprehet në komunikatë, atë që UÇK-ja përfaqëson për kombin shqiptar dhe historinë e Kosovës.

