Ambasada britanike lëshon alarm sigurie për sulmet me raketa dhe dronë në Arabinë Saudite
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Arabinë Saudite ka lëshuar një alarm sigurie, duke paralajmëruar shtetasit britanikë për vazhdimin e sulmeve me raketa dhe dronë në vend, transmeton Anadolu.
“Arabia Saudite vazhdon të përballet me sulme me raketa dhe dronë, që kanë shënjestruar qytete, aeroporte, objekte ushtarake dhe infrastrukturën energjetike”, tha ambasada britanike.
Ajo u bëri thirrje shtetasve britanikë të ndjekin këshillat më të fundit për udhëtimet nga Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar (FCDO), të regjistrohen për njoftimet zyrtare dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve saudite.
Ambasada gjithashtu këshilloi njerëzit që të mos filmojnë, publikojnë apo shpërndajnë informacione lidhur me incidentet e konfliktit dhe të jenë të informuar për vendet më të afërta ku mund të strehohen.
Paralajmërimi vjen në një periudhë të tensioneve të shtuara rajonale dhe një serie sulmesh nga rebelët Huthi, të cilat kanë shënjestruar territorin saudit.
Më herët, Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil të Arabisë Saudite tha se sulmet kishin shënjestruar aeroportet në qytetet jugore Jazan dhe Najran, duke plagosur tre persona.
Ndërkohë, në Jemen janë përshkallëzuar luftimet mes Huthive dhe forcave të lidhura me qeverinë e njohur ndërkombëtarisht, krahas operacioneve ushtarake të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.

