(VIDEO) BDI pyet a po përgatit kushtetuesja goditjen e radhës ndaj gjuhës shqipe

(VIDEO) BDI pyet a po përgatit kushtetuesja goditjen e radhës ndaj gjuhës shqipe

BDI ka reaguar sot lidhur me rregulloren për mënyrën e udhëheqjes, formës dhe përmbajtjes së evidencës dhe dokumentacionit pedagogjik në shkollat e mesme, e sjellë nga ministrja e Arsimit në Gazetën Zyrtare, për të cilën thonë se është publikuar vetëm në gjuhën maqedonase, edhe përkundër faktit që ekziston obligim ligjor për publikimin e së njëjtës edhe në gjuhën shqipe. Sekretari I BDI-së Arbër Ademi tha se nesër në seancë të Gjykatës Kushtetuese, si pikë e rendit të ditës është edhe kjo rregullore.

MARKETING

Shik.mk

ARBËR ADEMI, SEKRETAR I BDI-SË

“E njëjta është kontestuar nga aspekti kushtetues, respektivisht e njëjta rregullore bie ndesh me Amendamentin 5 të Kushtetutës së RMV-së dhe nenin 17 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, sepse kjo rregullore në Gazetën Zyrtare është publikuar vetëm në gjuhën maqedonase, edhe përkundër faktit që ekziston obligim ligjor për publikimin e së njëjtës edhe në gjuhën shqipe”.

Ademi thotë se rrjedhimisht nga e gjithë kjo, nuk do shumë mend që të kuptojmë se Kushtetuta si akti më i lartë juridik, Ligji për përdorimin e gjuhëve si ligj special për përdorimin e gjuhëve, si dhe Ligji për publikimin e ligjeve dhe rregullave të tjera dhe akteve në Gazetën Zyrtare të RMV-së, që të gjithë parashohin obligim zyrtar të institucioneve, ex officio, që të gjitha aktet që publikohen në Gazetën Zyrtare të publikohen në dy gjuhë”.

ARBËR ADEMI, SEKRETAR I BDI-SË

“Dispozita për publikimin e ligjeve dhe akteve të tjera normative në Kushtetutë është parashikuar në kapitullin për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut dhe qytetarit, përkatësisht në pjesën që ka të bëjë me garancitë e lirive dhe të drejtave themelore. Ky fakt tregon se Kushtetuta nuk e trajton publikimin e ligjeve dhe akteve të tjera normative si një çështje teknike, por si një çështje që prek thellësisht garancitë kushtetuese të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe qytetarit”.

Ademi thotë se pyetjet që shtrohen janë: A paraqet shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të lartpërmendura mospublikimi i aktit të kontestuar edhe në gjuhën shqipe, apo kur është fjalë për gjuhën shqipe, e njëjta trajtohet si çështje e kategorisë së dytë dhe irelevante? Çfarë domethënie ka kjo, a po hapet dera që nesër edhe ligjet të publikohen vetëm në gjuhën maqedonase? dhe pse Gjykata po e ndryshon praktikën e vetë-etabluar gjyqësore kur është fjalë për gjuhën edhe të drejtat e shqiptarëve?

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING