Dy shqiptarë humbin jetën në Greqi, u përplasën motoçikleta e skuteri – viktimat ishin miq
Dy persona me origjinë nga Shqipëria kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku në Nea Peramos të Kavallës, në Greqi.
Aksidenti ndodhi pasditen e së shtunës, më 3 tetor, në rrugën nga Nea Peramosi drejt plazhit të Ammolofëve. Një motoçikletë u përplas me një skuter elektrik, ndërsa të dy drejtuesit mbetën të plagosur rëndë.
Sipas mediave greke, 34-vjeçari që drejtonte motoçikletën humbi jetën pas përplasjes.
Ndërkohë, 36-vjeçari që drejtonte skuterin elektrik u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Kavallës, ku u trajtua në Repartin e Terapisë Intensive. Ai ndërroi jetë gjatë natës, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Mediat greke raportojnë se dy viktimat ishin me origjinë nga Shqipëria dhe se ishin miq.
Për rastin është nisur hetimi nga autoritetet greke, të cilat po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e përplasjes.

