Von der Leyen: Maqedonia e Veriut i përket BE-së, mbetet edhe një hap vendimtar

Von der Leyen: Maqedonia e Veriut i përket BE-së, mbetet edhe një hap vendimtar

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit me kryeministrin Hristijan Mickoski, deklaroi se Maqedonia e Veriut i përket Bashkimit Evropian, por për të avancuar në procesin e integrimit evropian duhet të ndërmerret edhe një hap vendimtar.

MARKETING

Shik.mk

Në një konferencë për shtyp, von der Leyen theksoi se BE-ja është e gatshme ta mirëpresë Maqedoninë e Veriut, së bashku me identitetin dhe gjuhën e saj.

“Mesazhi im është ky: qartë, ju na përkisni. Tani keni vetëm një hap vendimtar për të ndërmarrë për të ecur përpara dhe për të hapur kapitullin e parë. E di sa e ndjeshme është kjo, por dua të jem e qartë për atë që përfaqëson Evropa. Ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin dhe gjuhën e saj. Ne besojmë se kultura dhe gjuha maqedonase mund ta bëjnë Unionin tonë më të pasur, sepse motoja jonë është – diversiteti dhe uniteti”, tha von der Leyen.

Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski tha se Maqedonia e Veriut po i përmbush detyrimet e saj dhe se tani është koha që Bashkimi Evropian të sigurojë një proces të drejtë dhe të bazuar në rregulla të qarta, pa vendosur kushte të reja.

Mickoski e cilësoi takimin me von der Leyen si të hapur dhe përmbajtësor, duke thënë se në fokus ishin çështjet që lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen evropiane të vendit.

“Diskutuam reformat, dinamikën e procesit të anëtarësimit, por edhe sfidat që kanë rënduar rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian për vite me radhë. Vendosmëria jonë si vend është e qartë dhe mbetet e pandryshuar. Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian dhe po punojmë me përkushtim drejt këtij qëllimi”, tha Mickoski.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut pret mbështetje më të fortë politike nga institucionet evropiane dhe një proces që, sipas tij, do të jetë i drejtë dhe i parashikueshëm.

“Vendosmëria jonë evropiane nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë në diskutim. Ajo që kërkojmë sot është një proces që do të jetë i drejtë dhe i bazuar në rregulla të qarta”, u shpreh kryeministri.

Mickoski theksoi gjithashtu se vendi po i përmbush detyrimet dhe po zbaton reformat e kërkuara në kuadër të procesit të integrimit evropian.

“Shteti po i përfundon detyrimet e tij dhe po zbaton reformat që priten nga një vend, ndonjëherë në kohë, ndonjëherë pak vonë, por megjithatë po i përfundon ato”, tha Mickoski.

MARKETING