Mbështetja për zgjerimin e BE-së është e lartë, opinioni publik mbështet fuqishëm anëtarësimin në BE. Maqedonia me sukses po zbaton proceset reformuese, duke shënuar rritjen e tretë më të lartë ekonomike në Evropë prej 4,3% në tremujorin e dytë, jemi plotësisht të përkushtuar dhe të harmonizuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski në panel diskutimin kushtuar zgjerimit të BE-së i cili u mbajt në Bruksel në organizim të organizatës “tink- tenk”, “Miqtë e Evropës”.

“Sa i përket reformave në përgjithësi mirë po përballemi. U përmend Plani i rritjes, gjithçka që na u kërkua e kemi bërë. Ekonomia po rritet me shpejtësi. Në tremujorin e dytë të këtij viti, kemi një rritje të BPV-së prej 4.3% që është e treta më e lartë në Evropë. Ajo që është shumë e rëndësishme për vendin tim: kemi stabilitet dhe kohezion politik, ekonomik por edhe ndëretnik, diçka për të cilën jemi përpjekur në të kaluarën. Kur e shikoni të gjithë pamjen, vendi po lëviz në drejtimin e duhur. Jemi plotësisht të përkushtuar dhe në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian – jo 80%, jo 90%, por 100%. Arsyeja e vetme pse nuk po përparojmë, për fat të keq është kjo vetoja nga Bullgaria”, theksoi Nikolloski.
Ai theksoi se mbështetja e BE-së për Maqedoninë është e madhe dhe një sinjal i rëndësishëm është se kryetarja e KE-së, Ursula Fon der Lajen po vjen në Shkup.

“Tani gjërat përfundimisht po ndryshojnë. Natyrisht, situata me Ukrainën dhe Moldavinë po e ndihmon të gjithë procesin e zgjerimit dhe kjo duhet të përdoret. Ka interes për rajonin. Kryetarja Fon der Lajen vjen në Shkup- ajo ishte në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë dhe po vjen në Maqedoni, që është një sinjal i madh. Shpresoj se do të gjendet një mekanizëm që Komisioni Evropian do të mund ta përdorë dhe se ne do të hapim negociatat për anëtarësim. Çështjet e hapura me fqinjët duhet të zgjidhen në një mënyrë apo tjetër, por mendoj se atmosfera do të jetë shumë më e relaksuar dhe pozitive nëse fillojmë negociatat”, ka thënë Nikolloski.
Në panel ai theksoi se suksesi i rajonit është performanca e përbashkët dhe kjo tashmë njihet përmes rritjes ekonomike të rajonit, përmes zhvillimit të turizmit dhe zhvillimit të trafikut ajror, kumtoi ministria e Transportit.

