Sulejmani reagon për videoklipin e Don Xhonit në “Makedonium”: Drejtorët duhet të jenë të kujdesshëm
Xhirimi i videoklipit të reperit nga Kosova, Don Xhoni, në monumentin “Makedonium” në Krushevë ka nxitur reagime të shumta dhe debat në rrjetet sociale.
Një pjesë e komentuesve maqedonas e kanë cilësuar si të papërshtatshme dhënien me qira të një objekti me rëndësi historike dhe kulturore për xhirimin e videoklipeve. Krahas kritikave ndaj vendimit për dhënien me qira të hapësirës, në rrjetet sociale janë shfaqur edhe komente fyese ndaj reperit dhe produksionit që realizoi videoklipin.
Për rastin ka reaguar edhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Ministri Sedat Sulejmani tha se drejtuesit e institucioneve duhet të tregojnë më shumë kujdes gjatë dhënies me qira të objekteve të trashëgimisë kulturore, duke pasur parasysh natyrën dhe përmbajtjen e programeve që zhvillohen në to.
“Unë, si ministër i Kulturës dhe Turizmit, gjegjësisht ne si Ministri, jemi përgjegjës për mbrojtjen e të gjithë artistëve dhe të gjithë punonjësve të kulturës. Kemi një rast para nesh që është vërtet i ndjeshëm, por do të shohim me shërbimet ligjore se si mund të veprojmë më tej ose me ndonjë ndryshim ligjor, sepse në këtë moment ekziston e drejta ligjore për qira.
Por drejtorët duhet të jenë të kujdesshëm kur japin objekte me qira, duhet të dinë se çfarë programesh do të mbahen dhe me çfarë përmbajtjeje. Problemi është i ri, është xhiruar më parë, ndërsa unë ende nuk kam informacion të detajuar dhe jemi në proces të zgjidhjes së problemit. Do të siguroj informacione shtesë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas”, u shpreh ministri Sulejmani në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.
“Makedoniumi”, një monument i mbrojtur i trashëgimisë kulturore të shtetit, raportohet se i është dhënë me qira produksionit të Don Xhonit për shumën prej 500 eurosh, për xhirimin e disa pjesëve të videoklipit të këngës së tij “Seksi Mama”.
Rasti ka hapur diskutime mbi mënyrën se si menaxhohen dhe jepen me qira objektet e trashëgimisë kulturore, si dhe mbi kriteret që duhet të zbatohen për aktivitetet që zhvillohen në këto hapësira.

