13 shoferë ndalohen nga policia për drejtim të pakujdesshëm të automjetit
Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka privuar nga liria 13 shoferë në lokacione të ndryshme në vend, të dyshuar për veprën penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit“.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), tetë prej tyre janë kapur duke drejtuar automjet pa e dhënë provimin e vozitjes.
Bëhet fjalë për M.K. (32) nga fshati Volkovë, rrethina e Shkupit, M.N. (20) nga Prilepi, A.N. (27) nga Makedonski Brodi, M.M. (21) nga Kumanova, një 16-vjeçar dhe A.D. (33), të dy nga fshati Kamjan, rrethina e Tetovës, një 16-vjeçar nga Tetova, si dhe një 17-vjeçar nga fshati Dobërdoll.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se katër persona të tjerë janë ndaluar pasi janë kapur duke drejtuar automjet nën ndikimin e alkoolit. Ata janë D.T. (62) nga Velesi, M.T. (30) nga vendbanimi Ilinden në Shkup, si dhe M.T. (30) dhe D.D.T. (31), të dy nga Shkupi.
Ndërkohë, E.V. (24) nga Shkupi është kapur duke drejtuar automjet për udhëtarë, pavarësisht se kishte një ndalim aktiv për drejtimin e automjetit të kategorisë B.
Nga MPB-ja njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj personave të ndaluar do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale.

