Taravari: Nonsens është krahasimi i Grubit me Stoilkoviqin, Artan Grubi ka avancuar qindra shqiptarë
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, ka komentuar deklaratën e deputetit Halil Snopçe, i cili ka kritikuar ministrin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, lidhur me qëndrimin e tij ndaj ish-ministrave Artan Grubi dhe Ivan Stoilkoviq.
Ferati, i pyetur se cili nga dy paraardhësit e tij ka qenë ministër më i mirë, nuk kishte dhënë një emër, por kishte kritikuar të dy, duke thënë se njëri “nuk e bëri punën aspak”, ndërsa tjetri u mor me “simbolika dhe provokime”.
Taravari tha se kritika e Snopçes nuk kishte për qëllim lartësimin e Artan Grubit, por kundërshtimin e krahasimit të tij me Stoilkoviqin.
“Nuk mund të thuash që Artan Grubi, me të gjitha dobësitë, është në listën e zezë. Ne e kritikojmë për të gjitha gjërat e këqija, në qoftë se ka dhe i konstaton gjykata dhe nuk ka dyshime. Mënyra si e ka udhëhequr ministrinë, plot kritika. A është në rregull ta krahasosh Stoilkoviqin me Artan Grubin? Është nonsens, edhe pse kam 1.000 kritika për Artanin”, deklaroi Taravari.
Sipas tij, dallimi mes dy ish-ministrave qëndron edhe në politikat që kanë ndjekur ndaj shqiptarëve.
“Artani ka avancuar 1.000 shqiptarë, ka punësuar dhe ka ndihmuar, ndërsa Stoilkoviqi ka bërë të kundërtën. Këtu ishte kritika e Halil Snopçes. Nuk e lartësoi Artanin”, tha Taravari. /SHENJA/

