Presidenti Erdogan: Kriminelët e luftës e kanë vendin në sallat e gjyqit, jo në foltoren e OKB-së
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të shtunën se “kriminelët e luftës” e kanë vendin në sallat e gjyqit, dhe jo në foltoren e OKB-së, duke theksuar se ata që kryejnë gjenocid duhet të japin llogari, raporton Anadolu.
“Kriminelët e luftës nuk e kanë vendin në foltoren e OKB-së, por në sallat e gjyqit, ku do të japin llogari për krimet që kanë kryer dhe gjakun që kanë derdhur”, tha Erdogan në programin përmbyllës edicionit të 21-të të Panairit Ndërkombëtar të Tregtisë MUSIAD EXPO dhe edicionit të 29-të të Forumit Ndërkombëtar të Biznesit në Stamboll.
“Nëse ata që kryejnë gjenocid nuk japin llogari para drejtësisë dhe historisë, të njëjtat mizori do të përsëriten”, paralajmëroi ai.
Erdogan përsëriti mbështetjen e Turqisë për palestinezët, duke thënë: “Populli palestinez nuk është i vetëm dhe as i braktisur”.
“Vëllezërit dhe motrat tona në Gaza nuk janë vetëm në kërkimin e tyre për të drejtat dhe drejtësinë”, theksoi ai.
“Ne do të vazhdojmë, në maksimumin e mundësive tona, të themi të vërtetën dhe të jemi zëri i të shtypurve”, shtoi ai.
Erdogan tha më tej se rajoni ku Turqia ndodhet në qendër po përjeton një “stuhi të gjithanshme krizash”, ndërsa sistemi global po përballet me ngërç sa i përket “legjitimitetit, përfaqësimit dhe drejtësisë”.
Duke iu referuar ekonomisë, ai tha se Turqia ka shënuar rritje të pandërprerë gjatë 24 tremujorëve të fundit dhe aktualisht është ekonomia e 16-të më e madhe në botë dhe e gjashta më e madhe në Evropë.
Ai shtoi se numri i kompanive turke eksportuese është rritur nga 33.000 në vitin 2002 në 168.000 në vitin 2025.
“Me Programin e ri Afatmesëm që shpallëm 20 ditë më parë, do të vazhdojmë me vendosmëri në përputhje me objektivat tona për rritje të qëndrueshme dhe të ekuilibruar”, tha Erdogan.

