Kryeministri libanez kërkon afat të qartë për zbatimin e marrëveshjes kornizë me Izraelin

Kryeministri libanez kërkon afat të qartë për zbatimin e marrëveshjes kornizë me Izraelin

Kryeministri libanez, Nawaf Salam, ka deklaruar se një marrëveshje kornizë me Izraelin duhet të përkthehet në hapa konkret, në kuadër të një afati të qartë kohor, duke përfshirë përfundimin e tërheqjes së Izraelit nga territori libanez, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Duke iu drejtuar sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, Salam tha se suksesi i çdo marrëveshjeje duhet të matet me zbatimin e angazhimeve të saj dhe jo me qëllimet e deklaruara.

“Ajo që kërkohet sot është përfundimi i përkthimit të kësaj marrëveshjeje në hapa konkret, brenda një afati të qartë kohor dhe me një mekanizëm verifikimi që garanton zbatimin e të gjitha dispozitave të saj”, tha ai.

Salam përsëriti kërkesën e Libanit që Izraeli të tërhiqet nga i gjithë territori libanez deri në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të vendit, si dhe kërkoi lirimin e të burgosurve libanezë dhe kthimin e sigurt dhe me dinjitet të banorëve në qytetet dhe fshatrat e tyre.

Ai bëri gjithashtu thirrje për rindërtimin e zonave të shkatërruara gjatë luftës.

Marrëveshja kornizë, e nënshkruar në Ëashington më 26 qershor, parashikon një tërheqje graduale të Izraelit nga territori libanez, duke filluar me dy zona pilot në jug të Libanit, krahas vendosjes së ushtrisë libaneze dhe çarmatimit të grupeve të armatosura jashtë kontrollit të shtetit, përfshirë Hezbollahun.

Duke folur për rajonin në përgjithësi, Salam tha se nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm për sa kohë palestinezët nuk janë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për vetëvendosje.

Ai përsëriti gjithashtu thirrjen e Libanit për zgjerimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mënyrë që përfaqësimi të jetë më gjithëpërfshirës dhe më i barabartë, ndërsa propozoi kufizime në përdorimin e të drejtës së vetos.

“Ne nuk bëjmë thirrje për heqjen e të drejtës së vetos brenda tij, përkundrazi bëjmë thirrje për ndryshimin e mënyrës se si ajo përdoret, veçanërisht kur bëhet fjalë për gjenocid, krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të rënda të vetë së drejtës ndërkombëtare”, tha ai.

MARKETING