Kryediplomati i Azerbajxhanit dhe ai i Armenisë takohen në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, dhe ministri i Jashtëm i Armenisë, Ararat Mirzoyan, zhvilluan takim në margjinat e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit, Bayramov dhe Mirzoyan kanë theksuar rëndësinë e paqes mes dy vendeve dhe kanë shqyrtuar përparimin e arritur që nga samiti i zhvilluar në Washington në gusht të vitit 2025, gjatë të cilit Baku dhe Jerevani nënshkruan një deklaratë të përbashkët dhe firmosën një marrëveshje paqeje.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua zhbllokimit të infrastrukturës ekonomike dhe të transportit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë”, thuhet në deklaratë.
Dy ministrat e cilësuan tregtinë dhe transportin tranzit mes vendeve të tyre si “shembuj praktikë të përfitimeve të paqes”, ndërsa shkëmbyen gjithashtu mendime mbi mundësinë e promovimit të një agjende pozitive në platforma të ndryshme shumëpalëshe, thuhet në deklaratë.
“Ministrat ranë dakord të vazhdojnë dialogun e tyre të drejtpërdrejtë”, thuhet më tej.
Një deklaratë identike u publikua nga Ministria e Jashtme e Armenisë pas bisedimeve.

