Dalin detaje nga komunikimet mes Hysenit dhe Agasit: Flej rehat zemër, krejt radarët e shtetit i fik për ty
Detaje të reja kanë dalë nga komunikimet mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, ku sipas dosjes së SPAK, Hyseni dyshohet se i ka përcjellë Agasit informacione mbi lëvizjet e strukturave të sigurisë.
Në një prej qindra mesazheve të shkëmbyera, Hyseni i kërkon Agasit të mos përdorë një numër tjetër telefoni, pasi dyshohej se ishte nën përgjim: “Shpirt, mos e përdor atë numrin tjetër sonte se çunat ia kanë çu veshin. Flej rehat. Të du!”
Në vijim të komunikimit, Agasi e pyet nëse ekzistonte ndonjë rrezik për persona të afërt me të, ndërsa, sipas dosjes, përgjigjja e Hysenit ka qenë: “Krejt radarët e shtetit i fik për ty!” Këto komunikime janë pjesë e materialeve që SPAK po verifikon në kuadër të hetimit mbi marrëdhënien mes dy personave dhe informacionet që dyshohet se janë shkëmbyer mes tyre.
Ndërkohë, Vlora Hyseni pritet të dalë përpara Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë dhe për të dhënë shpjegime mbi komunikimet me Agasin. Gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit e SPAK, Hyseni kishte deklaruar se Agasi ishte bashkëpunëtor i saj në kuadër të rrjetit të agjentëve të SHISH, ndërsa prokuroria po verifikon nëse marrëdhënia mes tyre ka qenë përtej asaj institucionale.

