Dy vjet e gjashtë muaj burg për shoferen që shkaktoi aksidentin tek ura “Goce Dellçev” në Shkup, ku humbi jetën një 76 vjeçar
Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin Gordana Filipoviq nga Kumanova është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burg për aksidentin e trafikut te ura “Goce Dellçev” në Shkup, ku humbi jetën këmbësori 76-vjeçar, Slobodan Angelovski.
Me vendimin e Apelit janë refuzuar si ankesa e mbrojtjes kundër aktgjykimit të shkallës së parë, ashtu edhe ankesa e Prokurorisë, e cila kishte kërkuar një dënim më të lartë me burg. Me këtë, mbetet në fuqi dënimi i shqiptuar nga Gjykata Themelore Penale në Shkup në procedurën e përsëritur.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është i argumentuar dhe se Gjykata Penale i ka përcaktuar drejt rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti tragjik.
Sipas arsyetimit, Filipoviq drejtonte automjetin në një rrugë të frekuentuar dhe në kushte të trafikut të dendur, me shpejtësi prej 54.4 kilometra në orë, në një pjesë të rrugës ku shpejtësia maksimale e lejuar ishte 50 kilometra në orë.
Si rrethanë veçanërisht të rëndësishme, gjykata ka veçuar sjelljen e të akuzuarës gjatë afrimit të saj te vendkalimi i shënuar për këmbësorë. Automjetet në korsitë fqinje tashmë kishin ndaluar, por Filipoviq nuk e kishte ulur shpejtësinë. Ajo e kishte anashkaluar automjetin që kishte ndaluar në korsinë e mesme, kishte kaluar në korsinë e tretë dhe kishte vazhduar lëvizjen.
Sipas vlerësimit të gjykatës, automjetet e ndaluara në korsitë fqinje përbënin një sinjal të qartë se në vendkalimin e këmbësorëve kishte një person dhe se drejtuesja duhej të ndalonte.
Aksidenti ndodhi në vitin 2022 te ura “Goce Dellçev”, përballë Teatrit Kombëtar Maqedonas, kur humbi jetën Slobodan Angelovski.
Lënda më herët kishte qenë edhe para Gjykatës së Apelit. Fillimisht, Filipoviq ishte dënuar me tre vjet burg, por ky aktgjykim ishte shfuqizuar dhe lënda ishte kthyer për rigjykim.
Në procedurën e përsëritur, gjykatësja Lidija Petrovska shqiptoi dënimin prej dy vjetësh e gjashtë muajsh burg.
Pas shqiptimit të aktgjykimit, djali i të ndjerit, Stole Angelovski, shprehu publikisht pakënaqësinë e tij për lartësinë e dënimit.
“Jam maksimalisht i zhgënjyer nga sistemi gjyqësor në Maqedoni. Dy vjet e gjashtë muaj për të akuzuarën që ka bërë shkelje serioze – tejkalim të shpejtësisë dhe mosndalim në vendkalimin e këmbësorëve. Ky është një aktgjykim tronditës dhe jokorrekt”, deklaroi atëherë Angelovski.
Mbrojtja e kishte apeluar aktgjykimin, me qëndrimin se vepra nuk ishte kryer me dashje, por nga pakujdesia, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të ashpër.
Gjykata e Apelit tani i ka refuzuar të dyja ankesat dhe e ka konfirmuar aktgjykimin me të cilin Gordana Filipoviq dënohet me dy vjet e gjashtë muaj burg.

