Zjarri në depon e ngjyrave në “Zhelezara” shuhet plotësisht, nuk ka të lënduar
Zjarri që shpërtheu sot pasdite në zonën e ish-kompleksit industrial “Zhelezara” në Shkup është shuar plotësisht, njoftojnë shërbimet kompetente.
Zjarri ka shpërthyer rreth orës 17:00 në një depo për ngjyra dhe llaçe, e cila ndodhet në bulevardin “Aleksandar Makedonski”. Për shkak të materialeve që ndodheshin në depo, mbi zonën e përfshirë nga zjarri është krijuar një re e dendur tymi të zi, e cila ishte e dukshme nga disa pjesë të qytetit.
Sipas informacioneve nga Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), në shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve me gjashtë automjete zjarrfikëse dhe 20 zjarrfikës.
Zjarri fillimisht është lokalizuar dhe më pas është shuar plotësisht. Deri më tani, nuk raportohet për persona të lënduar.
Shkaqet e shpërthimit të zjarrit ende nuk dihen. Vendi do të inspektohet nga shërbimet kompetente, ndërsa pas përfundimit të kontrollit priten më shumë informacione lidhur me rrethanat dhe shkaqet e incidentit.

