(VIDEO) Aksioni i policisë në disa qytete – Gjashtë të arrestuar, dy në kërkim, sekuestrohen mbi 100 mijë euro
Gjashtë persona janë arrestuar ndërsa gjjithsej ndaj 8 personave janë ngritur kallëzime penale, si rezultat i aksionit policor të ditës së djeshme. Në aksionin policor të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion u sekuestruan mbi 100.000 euro, 16 pllaka në ngjyrë ari, cigare dhe duhan pa pulla akcize, sasi të mëdha barnash e suplementesh, telefona celularë dhe sende të tjera, të cilat ishin importuar ilegalisht në vend.
MPB
“Njësia për Krimin Financiar në kuadër të Sektorit të Hetimeve Penale në Departamentin për shkatërrimin e Krimit të Organizuar ngriti një kallëzim penal në Prokurorinë Publike për krim të organizuar dhe korrupsion kundër 8 personave: M.S. (52) nga Tetova, Z.S. (42) nga Gjevgjelia, A.S. (38) nga Shkupi, B.LL. (46) nga Tetova, E.A. (55) nga Shkupi, D.XH. (46) nga Tetova, B.A.K. (34) dhe S.S. (42), të dy nga Republika e Turqisë, për disa vepra penale, duke përfshirë “kontrabandë”, “fshehje mallrash që janë objekt kontrabande”, “shmangie të pagesës së akcizës”, “marrje ryshfeti”, “dhënie ryshfeti”.
Nga MPB thonë se aktiviteti kriminal ka zgjatur 2 vite, nga viti 2024 deri në vitin 2026, dhe se dyshohet se grupi ka organizuar futjen dhe magazinimin e cigareve dhe duhanit pa deklarim, si dhe rishitjen e tyre. Ata gjithashtu bëjnë të ditur se përmes ryshfetit ndaj një zyrtari doganor, dyshohet se mallrat janë kaluar përmes vijës doganore pa kontroll dhe pa paguar detyrimet.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE PËR KRIM TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSION
“Gjatë kontrolleve, u gjetën sasi të mëdha të preparateve të destinuara për trajtimin e diabetit, sëmundjeve të zemrës dhe kardiovaskulare, gjendjeve neurologjike dhe psikiatrike, sëmundjeve reumatologjike dhe autoimune, sëmundjeve të frymëmarrjes dhe sëmundjeve inflamatore të zorrëve, preparate hormonale”.
Prokurori publik për 3 të dyshuarit ka kërkuar paraburgim, ndërsa për 3 të tjerë masa kujdesi. Dy të dyshuar aktualisht janë të pa kapshëm për organet kompetente.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

