Klekovski: Në qendër të aksionit kundër grupit kriminal janë suplemente për potencë
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski sonte si mysafir në emisionin Top Tema në TV Tellma zbuloi se suplemente për potencë janë në qendër të aksionit i cili filloi sot në mëngjes kundër grupit kriminal të dyshuar për kontrabandë dhe tregti të jashtëligjshme me ilaçe, medikamente dhe suplemente medicinale. Të paktën 6 persona janë arrestuar në aksion, ndërsa ishin kryer edhe bastisje në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli në dhjetëra lokacione.
“Nuk bëhet fjalë për ilaçe, por për suplemente. Rasti lidhet me një veprim të mëparshëm, i cili nuk lidhet me botoksin, ndërsa të gjitha së bashku lidhen me çrrënjosjen e kontrabandës dhe tregtisë së jashtëligjshme të ilaçeve dhe suplementeve dhe mjeteve të tjera që supozoj se janë toleruar për një kohë shumë të gjatë, dhe mund të çojnë në pasoja të mëdha të paparashikuara”, deklaroi Klekovski.
Ministri theksoi se nuk bëhet fjalë për suplemente të cilat mund të shkaktojnë vetëm pasoja financiare, por edhe shëndetësore, sepse bëhet fjalë për suplemente të jashtëligjshme.
“Në thelb, ato janë suplemente që përmbajnë bimë në kombinime të ndryshme që shiten me veti të ndryshme, të tilla si mbështetja e mashkullorisë, përmirësimi i punës së njërit, tjetrit ose një organi të tretë, të cilat nuk janë të regjistruara në vend për një qëllim të tillë dhe janë plotësisht të jashtëligjshme “, shtoi Klekovski.

