MPB: 11 të arrestuar për vozitje të pakujdesshme, mes tyre edhe dy të mitur
Policia ka privuar nga liria 11 persona në 24 orët e fundit në lokacione të ndryshme në vend, nën dyshimin për drejtim të pakujdesshëm të automjetit. Nëntë prej tyre janë kapur duke drejtuar automjete pa e dhënë fare provimin e vozitjes, ndërsa në mesin e rasteve ka edhe drejtim nën ndikimin e alkoolit dhe tejkalim të dyfishtë të shpejtësisë së lejuar.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në mesin e personave të privuar nga liria janë V.G. (64) nga fshati Moshticë, Gj.B. (60) nga Karasllari i Poshtëm, B.M. (49) nga fshati Negotinë, një 15-vjeçar nga fshati Siriçinë, O.A. (27) nga fshati Peshtalevë, N.N. (43) nga Gjevgjelia, një 17-vjeçar, si dhe M.J. (23) dhe S.A. (24), të tre nga Shkupi.
Për S.A., përveç faktit se drejtonte automjet pa e dhënë provimin e vozitjes, policia ka konstatuar edhe se ishte nën ndikimin e alkoolit.
Në një rast tjetër, nga liria është privuar M.G. (64) nga Dellçeva, për shkak të drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit.
Policia ka ndaluar edhe E.A. (23) nga fshati Gjermë, pasi, sipas MPB-së, automjetin e drejtonte me shpejtësi dyfish më të madhe se ajo e lejuar.
MPB-ja njofton se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të pasojnë kallëzime penale përkatëse.
Nga policia u bëhet apel drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e trafikut, të mos drejtojnë pa patentë të fituar përmes provimit, të mos ulen në timon nën ndikimin e alkoolit dhe ta përshtatin shpejtësinë me kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në rrugë.

