Mourinho befason lojtarët e Real Madridit, kjo është teknologjia e re që po përdor në stërvitje
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, i befasoi të gjithë në qendrën stërvitore të klubit në Valdebebas, duke sjellë një teknologji të re në seancat stërvitore. Bëhet fjalë për një ekran gjigant të vendosur pranë fushave numër 1 dhe 2, ku stërvitet ekipi i parë.
Ekrani mund të zhvendoset nëpër ambientet e kompleksit dhe vendoset pranë vijës së fushës. Kjo i mundëson Mourinhos ta ndërpresë stërvitjen në çdo moment dhe t’u tregojë lojtarëve lëvizjet konkrete që dëshiron të korrigjojë.
Sipas Mundo Deportivo, ekrani funksionon si një tabelë e avancuar digjitale. Në të mund të shfaqen skema taktike dhe formacione, modele të lëvizjeve, rikrijime të aksioneve të caktuara, si dhe video të kundërshtarëve.
Tashmë Mourinho mund të shfaqë në ekran një aksion ose lëvizje të caktuar, t’ua shpjegojë detajet lojtarëve dhe më pas ta zbatojë menjëherë në fushë, në vend që gjithçka të mbetet vetëm në teori brenda sallës së analizave.
Qëllimi i kësaj metode është i qartë. Mourinho dhe stafi i tij dëshirojnë të reduktojnë varësinë nga seancat e gjata të videove në ambiente të mbyllura dhe ta bëjnë analizën më të shpejtë, më interaktive dhe më të qartë.
Dhënia e udhëzimeve pikërisht në vendin ku kanë ndodhur gabimet, sipas stafit teknik, i ndihmon lojtarët t’i përvetësojnë më shpejt udhëzimet dhe e mban grupin të përqendruar gjatë gjithë seancës.
Lojtarët e Real Madridit e kanë mirëpritur metodën e re, duke reaguar pozitivisht ndaj qasjes së drejtpërdrejtë dhe interaktive.

