LSDM akuzon ZNAM-in për “tradhti ndaj partisë dhe votuesve”: “Dy vjet punë për tenderë”
LSDM-ja opozitare ka reaguar ndaj aktivitetit të ZNAM-it, i cili shënon dyvjetorin e punës së kësaj partie me moton “Dy vjet punë. Dy vjet rezultate. Një dashuri”.
Nga LSDM-ja e kanë kritikuar ashpër ZNAM-in dhe kryetarin e saj, Maksim Dimitrievskin, duke i akuzuar se fillimisht kanë “tradhtuar partinë”, ndërsa më pas edhe votuesit.
“Sot ZNAM-i jep llogari në një kinema me moton: ‘Dy vjet punë. Dy vjet rezultate. Një dashuri’. Por dashuria e tyre e vetme janë tenderët”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partia opozitare pretendon se Dimitrievski dhe bashkëpunëtorët e tij janë bërë pjesë e pushtetit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, duke e cilësuar ZNAM-in si një projekt që, sipas tyre, kishte për qëllim dobësimin e LSDM-së.
“Bëhet fjalë për njerëz që fillimisht e tradhtuan partinë e tyre dhe më pas edhe votuesit që besuan në rrëfimin për reforma në LSDM. Hynë në pushtet dhe u bënë pjesë e grupit të organizuar kriminal të VMRO-së”, deklarojnë nga LSDM-ja.
Në reagim përmenden edhe pretendime për tenderë dhe ndikim në institucione, ndërsa LSDM-ja e përshkruan ZNAM-in si “satelit të Mickoskit”.
“Një votë në Kuvend. Një karrige në institucion. Një tender në komunë. Një tender në Postë. Rezultatet i njeh populli”, thuhet më tej në komunikatë.
LSDM-ja ka ngritur gjithashtu pyetje lidhur me pretendimet për financim të një projekti të cilin e lidh me një version të ri të ZNAM-it për reforma.
“Tani le të tregojë: kur tashmë e dimë se kolegët, versioni më i avancuar, ‘ZNAM 2.0 për reforma’, kanë marrë 1,6 milionë, sa ka marrë ai për versionin e parë të ZNAM-it?”, thuhet në reagim.
Duke iu referuar aktivitetit të ardhshëm politik të ZNAM-it, LSDM-ja ironizon me mënyrën e organizimit të ngjarjeve dhe pretendon se një tjetër tubim do të mbahet në ditët në vijim.
“Ngjarjen e ardhshme le ta organizojnë së bashku. Në vend të kinemasë, le ta mbajnë në Pallatin e Bardhë. Filmin tashmë e dimë”, deklarojnë nga LSDM-ja.
Në përfundim, LSDM-ja e përsërit akuzën se ZNAM-i nuk është një lëvizje e pavarur politike, por “satelit i Mickoskit”, duke e lidhur aktivitetin e tij politik me tenderët dhe marrëdhëniet me pushtetin.

