Gjykimi për “Lotarinë Shtetërore”, në bankën e të akuzuarve sot është ulur edhe Përparim Bajrami
Në seancën e sotme për rastin “Lotaria”, në bankën e të akuzuarve është ulur edhe i akuzuari i parë, ish-drejtori i Lotarisë, Përparim Bajrami, i cili pas gati dy vitesh në arrati u kthye në vend dhe vetë iu dorëzua organeve të ndjekjes. Bajrami, për të cilin ishte lëshuar fletarrestim ndërkombëtar, më 9 shtator u paraqit në pikën kufitare “Bllacë”, pas së cilës u arrestua dhe u dërgua në burgun “Shkup” në Shutkë, për të vuajtur masën e paraburgimit të caktuar më herët.
Përveç tij, në këtë rast akuzohen edhe ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe pesë ish-anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të ndërmarrjes – Skender Mehmet, Bojan Janev, Fatmir Ramadanski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdi.
Në seancën e mëparshme, në të cilën zyrtarisht filloi gjykimi, të gjithë të akuzuarit deklaruan se nuk ndihen fajtorë për veprën penale që u vihet në barrë, përveç Bajramit, i cili atëherë ende ishte në arrati, si dhe të akuzuarit Bashkim Avdi, i cili tha se nuk e kupton për çfarë akuzohet dhe kërkoi që aktakuza dhe provat t’i dorëzohen në gjuhën e tij amtare, shqipe.
Ndryshe, shqyrtimi kryesor duhej të vazhdonte më 11 dhe 16 shtator, por gjykata i anuloi këto dy seanca, për t’i lënë kohë të akuzuarit të parë, Përparim Bajramit, që të shqyrtojë aktakuzën dhe provat, për çka afati ligjor është tetë ditë.

