A mund dhe a duhet të shfuqizohet Gjykata Speciale apo fokusi duhet të jetë te apeli?

A mund dhe a duhet të shfuqizohet Gjykata Speciale apo fokusi duhet të jetë te apeli?

Mundësia e një referendumi në Kosovë për të shfuqizuar Gjykatën Speciale ishte një nga temat e diskutuara në emisionin “Debat në Shenja”. Drejtuesi i OVL-UÇK-së në RMV, Besim Hoda, e pyeti avokatin Milazim Mustafa nëse një referendum, përmes të cilit qytetarët do të shprehnin qëndrimin e tyre ndaj gjykatës, do të kishte efekt juridik.

Mustafa tha se një referendum i tillë nuk do ta kishte efektin e drejtpërdrejtë për shfuqizimin e gjykatës, pasi iniciativa duhet të kalojë përmes Kuvendit. Sipas tij, Gjykata Speciale është themeluar përmes ndryshimeve kushtetuese në Kosovë dhe për shfuqizimin e saj do të nevojiteshin sërish ndryshime kushtetuese, për të cilat kërkohet edhe shumicë e dyfishtë e komuniteteve.

Historiani dhe profesori universitar Nuri Bexheti tha se shfuqizimi i gjykatës në këtë moment do të ishte vendim i ngutshëm dhe se fokusi duhet të jetë te procesi i apelit. Ai bëri thirrje për unitet politik, mbështetje të ekipeve mbrojtëse dhe angazhim për kundërshtimin e aktakuzave, duke thënë se kjo do të ishte rruga për të shmangur, sipas tij, një proces të gjatë për Kosovën.

MARKETING