Neziri: Vendimi i Hagës ishte befasi, zhbërja e gjykatës nuk do t’i zhbëjë edhe vendimet e saj
Analisti politik Xhelal Neziri në emisionin “Debat në Shenja” tha se shumica e shqiptarëve kanë pritur që katër ish-krerët e UÇK-së në Hagë të shpallen të pafajshëm, ndërsa vendimi i kundërt ka shkaktuar reagime të shumta.
“Pritshmëritë te shumica e shqiptarëve ka qenë se katërshja në Hagë do të shpallen të pafajshëm dhe pikërisht kjo befasi e cila erdhi nga Haga, normalisht që ka ngjallur reagimet e shqiptarëve”, tha Neziri.
Sipas tij, reagimet kanë ardhur si nga qytetarët që i mbështesin ish-krerët e UÇK-së, ashtu edhe nga partitë e tyre politike. Neziri tha se pas vendimit vërehen edhe ndryshime në spektrin politik, duke theksuar se në Kosovë ka një unitet për t’iu përgjigjur kësaj sfide.
“Ka një unitet në Kosovë, që t’i jepet një përgjigje adekuate kësaj sfide, në kuptimin që të mos dëmtohet Kosova, por edhe në mundësitë që katërshja të shpallet e lirë”, tha Neziri. Ai shtoi se një zhbërje eventuale e Gjykatës Speciale nuk do t’i zhbënte vendimet e marra prej saj.

