Hoda: Dje ishte ditë zie për drejtësinë evropiane
Besim Hoda, drejtues i OVL-UÇK-së në RMV, e ka cilësuar vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së si një ditë zie për drejtësinë evropiane. “Dje ishte ditë zie për drejtësinë evropiane. As nuk janë atje për t’u dënuar. Populli i Kosovës, populli shqiptar kanë qenë viktimë”, tha Hoda në emisionin “Debat në Shenja”.
Sipas tij, vendimi ishte i paralajmëruar, por mbetet shokues për shqiptarët. Hoda tha se ajo që e konsideron veçanërisht të dhimbshme është fakti që, sipas tij, po gjykohen “lajmëtarët e lirisë” në emër të popullit të Kosovës.
“Ajo që ishte e dhimbshme, ishte që të gjykosh lajmëtarët e lirisë, në emër të popullit të Kosovës. Kjo është nënçmuese”, tha Hoda, duke e përsëritur qëndrimin se dita e vendimit nuk duhet të konsiderohet ditë zie për shqiptarët, por për drejtësinë evropiane.

