(VIDEO) Vuçiq ironizon deklaratat e Gashit dhe Saliut për ish krerët e UÇK-së, LSDM kërkon përgjegjësi
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi dhe zëvendëskryeministri Bekim Sali, janë dy nga politikanët që i ka përmendur presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në deklaratën e tij pas shpalljes së vendimit të Hagës për ish krerët e UÇK-së, për mënyrën se si zyrtarët shqiptarë kanë reaguar për vendimin denues të Hagës. Ai kritikoi reagimet e tyre sepse sipas tij nuk e trajtuan vendimin si një dënim për krime, por si një padrejtësi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Vuçiq, citoi edhe deklaratat e tyre, kur Sali thotë se vendimi është kundër njerëzve të UÇK –së që kanë luftuar për lirinë e Kosovës dhe deklaratën e Gashit që thotë se mendja dhe zemra janë me çlirimtarët dhe familjet e tyre dhe Vuçiq e vazhdoi reagimin e tij me ironi.
Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë
“Bekim Sali, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Çështje Evropiane i cili thotë: Sot në Hagë është dënuar lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liria e Kosovës ka historinë e vet të cilën askush nuk mund ta zhbëjë. Në të njëjtën kohë, kryetari i Kuvendit Afrim Gashi tha: Në kohën kur liria e Kosovës dhe paqja e stabiliteti i rajonit ishin ende një ideal për të cilin duhej luftuar, ata patën guxim të angazhohen dhe ta marrin mbi vete përgjegjësinë historike për ta sjellë lirinë te populli i tyre. Edhe politikani kryesot opozitar në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, tha: Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë. Paramendoni sikur këtë ta thoshte Kuvendi i Republikës Srpska apo ndonjë shtet tjetër sovran për ndonjë nga të dënuarit tanë, qoftë Pavkoviqi, Stanishiqi, Mladiqi, Karaxhiqi apo cilido tjetër”.
Reagimi i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi u kritikua edhe nga LSDM-ja opozitare të cilët thanë se reagimi është jashtëzakonisht i papërshtatshëm dhe se vendimet e gjykatave ndërkombëtare duhet të respektohen, pavarësisht nga kombësia e të akuzuarve apo konteksti politik.
LSDM
“Haga ka gjykuar edhe kur në karrigen e të akuzuarit ishte Ratko Mlladiq. Atëherë thoshim: vendimi duhet të respektohet. Edhe tani është e njejta gjë. Ligji nuk zgjedh kombësi. Në këtë drejtim dhe reagimet e kryetarit të Kuvendit Afrim Gashit janë skajshmërisht të papërshtatshme. Ai bart funksion shtetëror”.
Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës më 16 shtator i shpalli Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin fajtorë për disa vepra. Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18, Selimi me 13, ndërsa Krasniqi me 25 vjet. Të katër u liruan nga një pjesë e akuzave për krime kundër njerëzimit, ndërsa aktgjykimi i nënshtrohet procedurës së apelit.
Emine Ismaili /SHENJA/

