(VIDEO) Sulejmani: Vendimi për intonimin e himnit i përshpejtuar

(VIDEO) Sulejmani: Vendimi për intonimin e himnit i përshpejtuar

Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, ka komentuar vendimin për intonimin e himnit në shkollat e Komunës së Gazi Babës, duke e cilësuar si të përshpejtuar. Në emisionin “Impakt” në TV SHENJA, ai, ka thënë se për çështje të tilla duhet të zhvillohet dialog paraprak dhe se fokusi duhet të jetë te cilësia e arsimit dhe kushtet për nxënësit.

Driton Sulejmani, Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës

“Mendoj se është një vendim i përshpejtuar, nuk e di sa mund të jetë obligativ edhe për shkollat në gjuhën shqipe, nuk mendoj se mund të jetë edhe aq obligativ. Mirëpo, unë mendoj se kjo bëhet me një dialog paraprak dhe nuk mendoj se kryetari ka bërë mirë që është nxituar në këtë pjesë, sepse unë mendoj se punët apo konkluzionet që vijnë pas një dialogu janë shumë më të mira, sesa kur shkohet në njëfarë mënyre si imponim dhe për këtë arsye imponimet nuk janë të mira zakonisht në politikë”.

Ndërkaq sa i përket problemit të krijuar rreth regjistrimit të nxënësve në shkollën “Petar Zdravkovski-Penko” në Çair, ai thotë se nuk është mbyllur asnjë paralele në gjuhen shqipe, por vlerëson se nxënësit që i përkasin kësaj komune duhet të ndjekin mësimin në shkollat e Komunës së Çairit.

Driton Sulejmani, Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës

“Nxënësit që i takojnë Komunës së Çairit duhet të shkojnë nëpër shkollat e Komunës së Çairit. Në rast se ka nevojë, do të hapim paralele të reja nëpër shkollat e Komunës së Çairit, do të shqyrtojmë mundësinë që aty ku kemi hapësirë, të ndërtojmë edhe një objekt të ri shkollor, mirëpo t’i mbajmë nxënësit e Çairit nëpër shkollat e Çairit për arsye se e thash, është shumë e rëndësishme, në fund të fundit, nga numri i nxënësve që i ka Komuna e Çairit përfiton financiarisht Komuna e Çairit dhe ne nuk duhet lejojmë që asnjë komunë të dëmtohet financiarisht, për shkak të regjistrimeve që i bën një nxënës në komunë tjetër”.

Ndërkaq sa ju përket hapësirave për paralelet shqipe në shkollën “Njegosh” zëvendësministri deklaron se arsyeja që nxënësit nuk kanë mundur t’i vazhdojnë mësimet në objektin e njëjtë, është për shkak të mungesës së hapësirave, dhe bëri të ditur se tashmë janë duke u zhvilluar punime për ndërtimin e 4 mësonjëtoreve.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING