(VIDEO) Mickoski në SHBA, synohet thellimi i partneritetit strategjik
Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili kryeson delegacionin qeveritar në vizitën e punës në SHBA, sot në Uashington zhvilloi disa takime të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve amerikane, Kongresit dhe sektorit ekonomik. Në fokus të takimeve ishin thellimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve, si dhe hapja e mundësive të reja për bashkëpunim ekonomik dhe investime.
Mickoski zhvilloi takim me Caroline Vic, drejtoreshë kryesore për politikat dhe ushtruese e detyrës së drejtoreshës kryesore për zhvillim në Korporatën Amerikane për Financimin e Zhvillimit Ndërkombëtar – DFC, institucion që disponon kapacitet investues prej 205 miliardë dollarësh dhe përfaqëson një instrument të rëndësishëm të SHBA-së për mobilizimin e kapitalit privat dhe investimeve në sektorë strategjikë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut
“Në takim u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe investimeve të mundshme në Maqedoni në disa fusha, me theks të veçantë te energjetika, teknologjitë e larta dhe sektorë të tjerë strategjikë. DFC i kushton vëmendje të veçantë energjetikës, infrastrukturës moderne dhe teknologjive të avancuara, ndërsa pas zgjerimit të kompetencave të saj, disponon kapacitet dukshëm më të madh për investime ndërkombëtare”.
Ndërkaq, vizita në Uashington u shfrytëzua edhe për një sërë takimesh politike me përfaqësues të Kongresit amerikan. Kryeministri zhvilloi takim me kongresmenin Keith Self, kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.
Në takim u diskutua për rëndësinë e partneritetit strategjik mes Maqedonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, interesat e përbashkëta të dy vendeve, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë.
Anida Murati /SHENJA/

