BDI: A ishte vetura e zëvendësdrejtorit të Doganës menjëherë pas veturës së të arrestuarit për rryfshet prej 17.500 euro?

BDI: A ishte vetura e zëvendësdrejtorit të Doganës menjëherë pas veturës së të arrestuarit për rryfshet prej 17.500 euro?

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar sqarime nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me rrethanat e arrestimit në flagrancë të ndihmësdrejtorit të Drejtorisë Doganore, i dyshuar për marrjen e 17.500 eurove ryshfet.

Nga BDI-ja thonë se në opinion po qarkullon informacioni se në momentin e arrestimit, menjëherë pas veturës së zyrtarit të arrestuar, ndodhej edhe vetura e zëvendësdrejtorit të Drejtorisë Doganore, Mustafa Dauti.

Për këtë arsye, partia kërkon nga MPB-ja të konfirmojë nëse ky informacion është i saktë dhe, nëse po, të sqarojë se kush ndodhej në veturën e zëvendësdrejtorit Dauti.

“Përse vetura e zëvendësdrejtorit të Doganave ishte në vendin dhe në momentin e arrestimit?”, pyet BDI-ja.

BDI-ja kërkon gjithashtu informacion nëse Mustafa Dauti, apo personat që ndodheshin në veturën e tij, janë marrë në pyetje nga organet kompetente dhe nëse hetimi po shqyrton mundësinë që rasti i marrjes së 17.500 eurove të lidhet edhe me persona të tjerë në hierarkinë e Drejtorisë Doganore.

“Kur një zyrtar kapet në flagrancë për një tender, hetimi nuk mund të përfundojë vetëm te personi që ka marrë paratë. Duhet të zbardhet i gjithë zinxhiri: kush e organizoi, kush e dinte dhe kush qëndronte pas tij”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia kërkon nga MPB-ja dhe Prokuroria të japin përgjigje publike dhe të plota për të gjitha rrethanat e rastit.

Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë Doganore, Boban Nikollovski, deklaroi se institucioni do të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit në radhët e veta. Ai tha se çdo i punësuar për të cilin do të ekzistojnë dyshime për kryerjen e veprave kriminale do të përballet me sanksione.

“Më 14 prill, në ditën e Doganës, në fjalimin tim, dërgova mesazh te të gjithë të punësuarit në Drejtorinë Doganore se pa të meta dhe ashpër do të luftojmë kundër krimit në radhët tona dhe këtë e kemi treguar në këto 26 muaj, nga nëpunësit doganorë në shtresat më të ulëta, e ja tani edhe te një nga shtresat më të larta në Doganë. Çdo kush që punon dhe dyshohet se kryen vepra kriminale do të sanksionohet ashpër dhe në këtë kuptim ja ku janë provat”, deklaroi Nikollovski.

Ai shtoi se Drejtoria Doganore do të ndërmarrë të gjitha masat që janë në kompetencën e saj, ndërsa procedura penale udhëhiqet nga organet kompetente.

MARKETING