(VIDEO) TVSH-ja për karburantet pritet të ulet nga 18 në 10%

(VIDEO) TVSH-ja për karburantet pritet të ulet nga 18 në 10%

Maqedonia e Veriut pritet do të ulë TVSH-në për karbaurantet, pas rritjes së ndjeshme të çmimeve, që kanë kaluar shifrën prej 100 denarë për litër. Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi sot se, qeveria do të mbajë sot një seancë për të miratuar një masë të re për të zbutur rritjen e çmimeve të karburanteve , përkatësisht një ulje të TVSH-së nga 18 në 10 përqind.

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

“Ne tashmë kemi masa për karburantet, ulje të akcizës për naftën dhe karburantin pa plumb. Sot do të kemi një seancë tjetër qeveritare dhe do të miratojmë një masë të re – një ulje të TVSH-së nga 18 në 10 përqind. Me këtë, presim një ulje të çmimit të naftës”.

Ai pranon se ulja e taksave do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në të ardhurat e thesarit të shtetit, por thotë se përparësia e qeverisë është mbrojtja e standardit të jetesës.

Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së

“Kjo do të ketë implikime për buxhetin, por interesi ynë është të mbrojmë standardin e jetesës së qytetarëve. Nuk është e lehtë, do të luftojmë. Kemi disa luftëra, krizën më të madhe energjetike”.

Masa e re do të shqyrtohet një ditë para vendimit të ri të Komisionit Rregullator të Energjisë për çmimet me pakicë të derivateve të naftës.

Kujtojmë se, që nga fillimi i luftës në Iran në shkurt të këtij viti, çmimet e derivateve janë rritur ndjeshëm. Rritja e fundit e çmimeve u shënua të hënën e kaluar, me çka dizeli ka shkuar në 101 denarë për litër, ndërsa benzinat në 97 dhe 98 denarë për litër. Derivatet e naftës kanë shënuar rritje edhe tregjet globale.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING