(VIDEO) LSDM kërkon të hetohet festa 5 milionë euroshe e pavarësisë, reagon Mickoski
LSDM kërkon të hapet një hetim për financimin e festimit të 35-vjetorit të pavarësisë dhe të ndiqet “gjurma e parave”. Maja Borozan nga LSDM-ja, në konferencën e sotme për media, tha se bëhet fjalë për një shumë totale prej rreth 5,5 milionë eurosh – rreth 5 milionë euro nga fitimi i pashpërndarë i Llotarisë Shtetërore dhe rreth 40 milionë denarë shtesë nga kompani private. Ajo shtoi se dyshimet shtohen edhe më shumë nga mënyra se si është zhvilluar thirrja publike – sipas partisë, ajo ka zgjatur vetëm pesë ditë pune dhe është pranuar vetëm një ofertë.
Maja Borozan, LSDM
“Qeveria duhet t’i publikojë kontratat, anekset, faturat, pagesat bankare, përfituesit, realizuesit, furnizuesit dhe detyrimet e llogaritura tatimore. Sa ka kushtuar saktësisht performanca e David Guetta-s – honorari i tij, paketa e produksionit, skena, teknika, transporti dhe ekipi ndërkombëtar. Gjithashtu, kur është lidhur kontrata dhe kur është bërë pagesa. Sepse thirrja publike përfundon më 8 maj, ndërsa vetëm tri ditë më vonë, pushteti tashmë e kishte njoftuar performancën e Guetta-s”.
Ndërsa, kryeministri Hristijan Mickoski, kritikat e LSDM-së për shpenzimin e 5,5 milionë eurove nga Llotaria Shtetërore për festimin, i cilësoi si “estradë” të opozitës.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Ajo që mund të them është se ata që tani dëshpërohen, dikur i shpenzonin paratë te Perparimi dhe të tjerët. Ka dallim, nuk jemi të njëjtë, për këtë pajtohem me opozitën. Qeveria e LSDM-së dhe BDI-së, ato që ishin rezerva dhe fitim nga Llotaria Shtetërore, më së shpeshti përmes prokurimeve të dyshimta i kthente në xhepat privatë të disa funksionarëve të lartë, për çka ka edhe procese gjyqësore”.
Festimet për 35 vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut u shënuan nga 2 gushti deri më 8 shtator. Në kuadër të aktiviteteve të mbajtura me këtë rast, më 8 shtator u organizua edhe koncerit i dj dhe producentit me fame botërore David Guetta. Këto aktivitete kanë kushtuar 5.5 milionë euro. Nga kjo shumë, 300 milionë denarë janë siguruar nga fitimi i pashpërndarë i Lotarisë Shtetërore, ndërsa rreth 40 milionë denarë janë siguruar përmes donacioneve nga kompani.
Teuta Buçi /SHENJA/

