LSDM propozon sërish pagë minimale prej 600 eurosh

LSDM propozon sërish pagë minimale prej 600 eurosh

LSDM-ja rikthen për herë të tretë propozimin për rritjen e pagës minimale në 600 euro, përkatësisht 36.960 denarë, përmes një Projektligji që pritet t’i paraqitet Kuvendit.

Nga partia opozitare thonë se paga minimale aktuale, prej rreth 26.000 denarësh, nuk është e mjaftueshme për të përballuar shpenzimet bazë të jetesës. Sipas tyre, shporta sindikale arrin në rreth 70.000 denarë, ndërsa për familjet që paguajnë qira ose kredi për banim, shpenzimet mujore mund të tejkalojnë 90.000 denarë.

LSDM-ja vlerëson se pjesa më e madhe e pagës minimale shpenzohet vetëm për ushqim dhe pije freskuese, ndërsa shpenzimet për transport, veshmbathje, arsim dhe shëndetësi përbëjnë një barrë shtesë për familjet.

Partia opozitare ka kritikuar edhe politikat e Qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Hristijan Mickoski për një mënyrë jetese luksoze dhe pushtetin për shpenzime miliona eurosh për festime, avion, automjete zyrtare, mobilje dhe privilegje për zyrtarët.

Sipas LSDM-së, fondet në buxhet ekzistojnë, por duhet të ndryshojnë prioritetet e shpenzimeve publike. Partia kërkon që të reduktohen shpenzimet për zyrtarët dhe mjetet e kursyera të orientohen drejt punëtorëve dhe mbrojtjes së standardit të jetesës.

LSDM-ja konsideron se paga minimale prej 600 eurosh është minimumi i nevojshëm për t’u mundësuar punëtorëve të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre.

MARKETING