Zidane nis revolucionin te Franca, katër emra të panjohur marrin ftesë
Një javë para se përzgjedhësi Zinedine Zidane të publikojë listën e tij të parë me të grumbulluarit e Francës, në listën paraprake kanë dalë disa emra mjaft interesantë, disa prej të cilëve kanë befasuar jo pak.
Franca do të zhvillojë katër ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s: ndaj Turqisë më 25 shtator, Belgjikës më 29 shtator, Italisë më 2 tetor dhe sërish Belgjikës më 5 tetor, këtë herë në tokën franceze.
Zidane pritet të mos ndryshojë tërësisht bazën e ndërtuar nga paraardhësi i tij, Didier Deschamps. Megjithatë, emrat e parë në listën e tij paraprake tashmë japin një ide për qasjen që mund të ndjekë ish-trajneri i Real Madridit.
Sipas Foot Mercato, Esteban Lepaul ka marrë ftesën e tij të parë paraprake me kombëtaren e Francës, pas paraqitjeve të mira te Rennes.
Sulmuesi 26-vjeçar e përfundoi sezonin e kaluar si golashënuesi më i mirë i Ligue 1, me 21 gola. Edhe në këtë edicion ai ka vazhduar me të njëjtin ritëm, duke shënuar tri gola në tri ndeshjet e para.
Lepaul nuk është i vetmi lojtar që mund të debutojë në listën e Zidanes. Sipas L’Equipe, edhe Pablo Pagis, i cili gjithashtu nuk ka përvojë në arenën evropiane, ka marrë ftesën e tij të parë paraprake me Francën.
Produkti i akademisë së Rennes, 23-vjeçari luan në krahun e majtë dhe sezonin e kaluar shënoi 10 gola, duke dhënë edhe pesë asistime në Ligue 1 me Lorientin.
Në orët e fundit është bërë e ditur se edhe Ismailo Ganiou ka marrë ftesën e parë paraprake.
Mbrojtësi i Lensit është shndërruar në një prej emrave të besueshëm në futbollin francez brenda më pak se një viti.
Listën e të rinjve e kompleton Andy Diouf. Sulmuesi i krahut të djathtë ka qenë në formë të shkëlqyer që nga fillimi i sezonit me Interin dhe edhe ai ka marrë ftesën e parë paraprake për ekipin kombëtar të Francës.

