Pesë prokurorë në garë për shef në PTHP NKOK, zgjedhja caktohet për 28 tetor

Pesë prokurorë në garë për shef në PTHP NKOK, zgjedhja caktohet për 28 tetor

Pesë prokurorë publikë deri më tani kanë parashtruar kandidatura në shpalljen për zgjedhjen e një prokurori publik themelor të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK),konfirmoi kryetari i Këshillit të prokurorëve publikë, Bashkim Besimi.

– Jovan Cvetanovski – prokuror i lartë publik;
– Trajçe Pelivanov – ish-prokuror në Prokurorinë Speciale Publike (PSP), ndërsa aktualisht prokuror në Prokurorinë e Lartë Publike;
– Lidija Raiçeviç – prokurore në PTHP Shkup;
– Iskra Haxhi-Vasileva – prokurore në PTHP-OKK;
– Faton Azizi – prokuror në PTHP-OKK.

Kush do ta pasojë Islam Abazin?

Zgjedhja e kreut të ri të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion vjen pas përfundimit të mandatit të Islam Abazit, i cili këtë detyrë e ka ushtruar që nga tetori i vitit 2022.

Kandidati që do të marrë drejtimin e këtij institucioni do të përzgjidhet më 28 tetor, në periudhën nga ora 08:00 deri në 16:00.

Këshilli do të formojë komisionet për zgjedhjen**

Këshilli i Prokurorëve Publikë pritet të mbajë të premten një seancë, ku ndër të tjera do të formohen komisionet që do të zhvillojnë procedurën e përzgjedhjes së kreut të ri.

Në rend dite janë paraparë:

– formimi i Komisionit për përgatitjen e listës së kandidatëve;
– formimi i Komisionit për zgjedhjen e prokurorit themelor publik të PTHP-OKK-së.

Cilat janë kushtet për kandidatët?

Për këtë pozitë mund të kandidojnë prokurorët publikë që kanë të paktën gjashtë vite përvojë të pandërprerë si prokuror publik deri në momentin e aplikimit, si dhe kanë marrë vlerësim pozitiv gjatë tre viteve të fundit.

Zgjedhja e 28 tetorit pritet të përcaktojë se kush do ta drejtojë një prej institucioneve më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë në vend, përgjegjës për hetimin dhe ndjekjen e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

MARKETING